Mazhoranca bllokon amendimin e neneve që rrëzoi Kushtetuesja, Këshilli i Legjislacionit 1 vit pa u mbledhur, KLGJ e KLP në kolaps për emërimet

0
357

Reforma në drejtësi duket se i ka shqetësuar të gjitha palët politike në vend. PD e LSI e kanë treguar hapur se ju ka hyrë frika në palcë, por dhe brenda PS ka emra që i druhen SPAK dhe BKH. Reforma në drejtësi ka hyrë tashmë në shina, por po has ende shumë probleme, të cilat janë në dorë të politikës. Ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe e Këshillit të Lartë të Prokurorisë mori shumë kohë, por këto organe ende nuk janë funksionale 100 për qind. Nuk bëhet dot asnjë emërim gjyqtarësh e prokurorësh, po ashtu nuk bëhen dot shkarkime apo të merren masa disiplinore. Edhe anëtarët e SPAK do të jenë në mënyrë të përkohshme. E gjithë kjo për shkak se Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar 2 vite më parë një sërë nenesh në ligjin për organet e sistemit të drejtësisë. Në janar të vitit 2017, Partia Demokratike ju drejtua Gjykatës Kushtetuese, ku kërkoi që të rrëzohej ligji për organet e reja në sistemin e drejtësisë, pra ligji për KLGJ, KLP, KED apo ILD. Mirëpo gjykata përmes një vendimi të marrë në muajin prill, pranoi pjesërisht kërkesën e PD, duke rrëzuar vetëm 5 nene nga ligji. Më konkretisht u cilësuan antikushtetues: neni 5; neni 61, neni 103, neni 159 dhe neni 169, pika 5. Por nga këto 5 nene, dy janë më të rëndësishmit, neni 61 dhe neni 159, pasi kanë të bëjnë mbledhjet e KLGJ dhe KLP. Pa këto nene, KLGJ e KLP nuk bëjnë dot shkarkime apo emërime gjyqtarësh e prokurorësh dhe nuk marrin dot një sërë vendimesh. Por absurdi është se rrëzimi i ligjit ka ndodhur që në vitin 2017 dhe akoma nuk janë ndryshuar nenet. Në fillim të 2018 nisi procesi për ndryshimin e neneve. PD e PS mblodhën disa herë Këshillin e Legjislacionit, pasi është ky Këshill ai që do të bëjë ndryshimet. Por mbledhja e fundit e Këshillit për këtë çështje, daton në shkurt të vitit 2018 dhe më pas nuk ka pasur asnjë mbledhje.

Arsyet

Arsyet që kanë sjellë bllokimin e ndryshimeve në ligj janë të shumta. Së pari, PD nisi bojkotin parlamentar dhe më pas dogji mandatet dhe pa të ishte e vështirë të arrihej numri i votave, pasi kërkohen 84 vota. Por nëse do kishte vullnet, palët mund të kishin bërë ndryshimet e ligjit deri në qershor, kur dhe PD nisi bojkotin. Gazeta u interesua pranë mazhorancës se përse tani nuk bëhet ndryshimi i ligjeve? Dhe përgjigja ishte se nuk funksionon Këshilli i Legjislacionit. Këshilli i Legjislacionit normalisht ka 10 anëtarë, ku ndahen 5 nga mazhoranca e 5 nga opozita. Deri më tani nga opozita janë emëruar vetëm 3 anëtarë, ndërkohë që mungojnë 2 të tjerë. Nëse do kishte vullnet, Këshilli mund të ishte plotësuar dhe gjithçka ishte mbyllur. Pra, përveç PD e LSI, edhe mazhoranca duket se po ndikon disi në zvarritjen e reformës. Aktualisht opozita ka deklaruar se do votojë ligjet e reformës, por ende nuk është ndërmarrë një lëvizje për të amenduar ligjin për KLGJ e KLP.

Ligjet e tjera

Përveç ligjit për organet e sistemit të drejtësisë, Kushtetuesja rrëzoi pjesërisht dhe ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Këtë herë ishte Unioni i Gjyqtarëve, ai i cili dërgoi në gjykatë ligjin. Pas shqyrtimit, plot 22 nene të tij u rrëzuan. Ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve detyronte të gjithë njerëzit e drejtësisë që në momentin që dënoheshin për korrupsion, të rikthenin pagën vjetore. “Nëse magjistrati është dënuar me vendim të formës së prerë për vepra penale në fushën e korrupsionit, Këshilli vendos përveç shkarkimit të magjistratit edhe kthimin e shumës së pagës bruto të vitit të fundit në detyrë të përfituar prej tij”, thuhej në nenin 112. Kjo pikë u cilësua e rëndësishme nga deputetët gjatë diskutimeve në komision, pasi kushdo që ka bërë korrupsion duhet të kthejë pas një masë të caktuar të parave. Por gjykata me vendimin e marrë e ka shfuqizuar këtë nen, duke i lehtësuar gjyqtarët, të cilët vetëm sa mund të shkarkohen dhe vuajnë dënimin përkatës. Përveç këtij neni, janë shfuqizuar dhe shumë të tjerë, të cilët përcaktonin largimin e menjëhershëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve, nëse nuk e kalonin procesin e vetingut. Ligji parashikonte që gjyqtarët apo prokurorët e afërm të mos punonin në një institucion, por edhe kjo është shfuqizuar. Janë shumë çështje, që dhe në këtë ligj duhet të rishikohen me qëllim zbatimin e tij.

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here