OSBE i vë “fshesën” opozitës, Sekretari i Përgjithshëm kërkon mbylljen e reformave me deputetët e rinj, PD dhe LSI gati të prekin fundin

0
320

Ndërkombëtarët duket se po i vënë fshesën si Partisë Demokratike, ashtu edhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Përveçse po refuzojnë të negociojnë për zgjidhjen e krizës, pjesa dërmuese e tyre po dalin hapur në mbështetje të deputetëve të rinj që po futen në Parlament. Por ditën e djeshme një goditje opozitës i ka dhënë edhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, Thomas Greminger, gjatë një takimi që pati në Vjenë me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi. Gjatë diskutimit me kryeparlamentarin Ruçi, zoti Greminger përshëndeti rifillimin e punës së komisionit të reformës zgjedhore, me pjesëmarrjen edhe të deputetëve të rinj të opozitës, të cilët po plotësojnë vendet, në Kuvend. Ndërkohë që nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, kërkoi që reforma zgjedhore dhe reformat e tjera duhet të vazhdojnë me kontributin e deputetëve te rinj në Parlament. Më tej, zoti Greminger falënderoi zotin Ruçi për bashkëpunimin e ngushtë dhe produktiv midis Shqipërisë dhe OSBE dhe nënvizoi se ky bashkëpunim do të vazhdojë të thellohet gjatë presidencës shqiptare të OSBE-së, në 2020. Aktualisht, po bashkëpunohet për përcaktimin e prioriteteve të Presidencës shqiptare të OSBE-së, për vitin 2020. Ndërsa nga ana e tij, kryeparlamentari Ruçi e falënderoi sekretarin Greminger për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë, për marrjen e kryesisë së OSBE-së në 2020 dhe në mënyrë të veçantë për gatishmërinë e ODIHR-it, për të monitoruar zgjedhjet lokale të 30 qershorit. “Shqipëria është e nderuar që do marrë këtë detyrë të rëndësishme, do të vijojë të jetë e angazhuar në përmbushjen e objektivave të përbashkëta”, vuri në dukje Ruçi. Pra, duket qartë që të gjithë ndërkombëtarët nuk e pranojnë bojkotin e zgjedhjeve dhe djegien e mandateve nga ana e PD-LSI, ku në çdo takim dhe dalje publike kanë dalë kategorikisht kundër Bashës dhe Kryemadhit. Kështu që, prioritare për ta nuk është më opozita e vjetër por ajo e re, të cilën e inkurajojnë që të mbështesë çdo reformë. Thënë më troç nëse ecet më këto ritme, shumë shpejt PD dhe LSI do të prekin fundin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here