Ekspozita “Mjeshtrat e akuarelit” u çel për publikun në galerinë e artit “Vilson Kilica” në Fier, me punime nga 26 mjeshtra të huaj dhe shqiptarë. Një ekspozitë që sjell për publikun rreth 50 punime, të cilat janë realizuar më parë në vende të ndryshme të Shqipërisë dhe tani janë të ekspozuara në galerinë e Fierit, ku do të qëndrojnë një muaj për publikun artdashës. Kurator dhe organizator i ekspozitës piktori Helidon Haliti tregon se ekspozita ka rëndësinë e saj në jetën artistike të qytetit të Fierit, por sipas tij janë 26 mjeshtra të akuarelit pjesëmarrës, ku shumë prej tyre bëjnë dhe demonstrime live kur janë në Shqipëri me punët e tyre. E veçanta e ekspozitës që u çel mbrëmë në qytetin e Fierit, sipas kuratorit Helidon Haliti është sepse ka një prezantim të artistëve pjesëmarrës që ngjan me mënyrën e “Eurovision”. “Ekspozita është me 26 mjeshtra nga Europa sipas mënyrës së “Eurovision”, pra edhe Rusia, Ukraina, Moldavia etj. Janë rreth 50 punime në pikturë, të bëra kryesisht në Shqipëri përgjatë festivaleve, që ne kemi organizuar rishtaz. Janë ata artistë që vijnë dhe bëjnë demonstrime live përpara studentëve dhe publikut shqiptar”, tregon piktori dhe kuratori Helidon Haliti mes të tjerave për këtë ekspozitë që mbështetet nga Bashkia e Fierit, por dhe shoqata “VIZart”. Në lidhje me ekspozitën kuratori Helidon Haliti shprehet më tej se punët janë krijuar dhe me qëllimin e një muzeu të ardhshëm. “Shumica prej tyre janë punuar për krijimin e një muze dhe janë përzgjedhur mjeshtrat më në zë të akuarelit, ku shumica janë nga Europa”, tregon mes të tjerave kuratori Helidon Haliti. Ekspozita që u çel në galerinë e artit të qytetit të Fierit gjithashtu është në një prej sallave të reja të rregulluara për prezantimin e veprave të artit pamor në vend. Deri tani në këtë galeri janë hapur disa ekspozita dhe tashmë radhën e kanë punimet e mjeshtrave të akuarelit, që vijnë nga bota, por dhe ata shqiptarë. Ekspozita do të qëndrojë hapur deri më datë 7 qershor në Fier.
Bienalja e akuarelit
Aktiviteti realizohet dhe me mbështetjen e bashkisë së Fierit dhe shoqata “VIZart”, por kuratori Helidon Haliti tregon se pas kësaj ekspozite në Shqipëri do të zhvillohet dhe bienalja e tretë e Akuarelit. “Janë punime që janë të ezauruara për atë ekspozitë. Tashmë ne kemi tre vjet që bëjmë këtë master elitë në Shqipëri dhe krahas bienales së Akuarelit, që do bëhet këtë vit në shtator në Shqipëri do të jetë dhe kjo”, tregon piktori Haliti. Shoqata Ndërkombëtare e Akuarelit “IWS Albania” dhe organizata jofitimprurëse “VIZart” sollën në 2017 “Bienalen 2-të të Akuarelit Ndërkombëtar në Tiranë”, që u zhvillua nga data 12 mars deri ne 12 prill, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar por dhe mjedise të tjera. Bienalja mblodhi bashkë 400 piktorë nga 65 vende dhe mbi 400 punime të zgjedhura ku artdashësit patën mundësi të shohin demonstrime drejtpërsëdrejti nga mjeshtrat më të njohur në botë si Liu Yi, La Fe, Amit Kapoor, Atanur Dogan dhe shumë të tjerë. Emra të mëdhenj të artit botëror pikturuan Shqipërinë, çka do të mbesë si një trashëgimi ndër breza. I njohur për magjinë e tij në teknikën e akuarelit Helidon Haliti, mes të tjerave pohoi gjatë bienales se kryesore me këtë aktivitet ishte që të kthenin vëmendje edhe nga teknika e harruar e akuarelit në vendin tonë. Bienalja Ndërkombëtare e Akuarelit, që mbahet në Shqipëri siç janë shprehur dhe më herët organizatorët ka synimin edhe që në të ardhmen të krijojmë disa piaca të akaurelit, inekzistente në Shqipëri, teksa në Evropë e botë kanë mbi 100 vjet që gjallërojnë.
Nga Julia Vrapi