Me afrimin e zgjedhjeve vendore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka bërë thirrje komisionerëve të marrin pjesë në trajnim. Zëdhënësja e KQZ Drilona Hoxha në një dalje për media bëri me dije se, sot dhe nesër do të nisë trajnimi duke u bërë thirrje të gjithë komisionerëve të marrin pjesë dhe të respektojnë me korrektësi axhendën. “Në datat 8 dhe 9 Maj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvillon trajnimin e komisionerëve të Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor në të gjithë vendin. Kalendari i trajnimit i është vënë në dispozicion të gjithë anëtarëve të KZAZ-ve dhe trajnimi do të zhvillohet në selitë e KZAZ-ve përkatëse nga trajnues të cilët janë trajnuar nga KQZ. Të gjithë komisionerët janë informuar nga KQZ për datat dhe orën e trajnimit, dhe kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre. Por duke marrë në konsideratë rëndësinë e këtij procesi në funksion të miradministrimit të procesit zgjedhor, KQZ përmes medias i bën thirrje çdo komisioneri të jetë pjesë e trajnimit dhe të respektojnë me korrektësi axhendën e tij”, u shpreh Drilona Hoxha. Zëdhënësja e KQZ deklaroi se kandidatët për kryetar bashkie dhe këshill bashkiak janë të detyruar të dorëzojnë në KQZ formularin e vetëdeklarimit. “Gjatë trajnimit, komisionerët do të ushtrojnë në praktike mënyrën e plotësimit të dokumentacionit, si dhe do të pajisen me material dhe dokumentacion informues e udhëzues për ushtrimin e detyrës së tyre, si manuale, udhëzime, vendime të KQZ-së, e të tjerë. Trajnimi i komisionerëve ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në mënyrën e administrimit të procesit, veçanërisht për 51 KZAZ-të që do të kryejnë procedurat e regjistrimit të kandidatëve për organet e qeverisjes vendore. Në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, kandidatët për kryetar bashkie dhe kandidatët për këshillat bashkiak, kanë detyrimin të dorëzojnë formularin e vetëdeklarimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”, u shpreh zëdhënësja e KQZ Drilona Hoxha.
Home Aktualitet KQZ thirrje komisionerëve të jenë pjesë e trajnimit, njofton kandidatët për kryetar...