Lëkunden pozitat e Astrit Patozit, 4 padi në gjykatë kundër Bindjes Demokratike, dyshime se ka falsifikuar firmat

0
359

Partia Bindja Demokratike duket se po has vështirësitë e saj të para. Edhe pse ka vetëm më pak se katër ditë që u krijua si parti, ndaj këtij subjekti të ri që ka si kryetar provizor ish-deputetin e Partisë Demokratike, Astrit Patozi, kanë nisur akuzat e para, duke e akuzuar si parti “fantazmë”. Ka qenë televizioni “Neës 24”, i cili ka bërë ditën e djeshme me dije se ka zbuluar se në dokumentacionin e dorëzuar në gjykatë nga Patozi për Bindjen Demokratike disa nga firmëtarët janë fiktivë. Një ndër ta, Dritan Agushi nga qyteti i Kavajës, i cili i kontaktuar nga media në fjalë deklaroi se ishte vënë në dijeni nga familjarët që emri i tij ishte në listën e themeluesve. Ai deklaroi se ndodhet jashtë vendit dhe se firma e tij është falsifikuar, madje premtoi se do ta ndjekë ligjërisht çështjen. Por historia me falsifikim firmash nuk mbaron me kaq, pasi kjo media zbuloi se disa qytetarë të tjerë, po nga Kavaja, kanë bërë ankim në gjykatë kundër Bindjes Demokratike, duke e akuzuar se ka përdorur firmat e tyre për themelimin e partisë. Padia që disponon kjo media, është firmosur nga Zyber Molla, Shyqyri Proshka, Mehmet Sheme dhe Mirjan Krasniqi. Qytetarët që kanë verifikuar falsifikimin e dokumenteve akuzojnë gjykatën për shkelje të ligjit, pasi sipas tyre, ka bërë regjistrimin e Bindjes Demokratike pa verifikuar firmat. Të katërt qytetarët, që i kërkojnë gjykatës të kthejë mbrapsht si të paligjshëm vendimin për regjistrimin e Bindjes Demokratike, ndërsa shprehin gatishmërinë e tyre të vendosin para gjykatës specifikimet e shkrimit të tyre për të verifikuar shkencërisht se firmat për regjistrimin e Bindjes Demokratike janë falsifikuar.

Kujtojmë që, katër ditë më parë, Astrit Patozi, deklaroi se kishte dorëzuar në gjykatë dokumentacionin për krijimin e forcës më të re politike në vend, me emrin Bindja Demokratike. Sipas zotit Patozi janë rreth 4 mijë qytetarë që kanë firmosur me vullnetin e tyre për të themeluar Bindjen Demokratike. “Shqipëria do të ketë prej sot një parti opozitare më shumë. Bindja Demokratike dorëzoi paradite në gjykatën e Tiranës të gjithë dokumentacionin e regjistrimit si parti politike, shoqëruar me rreth 4 mijë ­firma mbështetësish për krijimin e saj. Vendimi erdhi pas takimit të një grupi të madh nismëtarësh mbrëmjen e kaluar, ku u përcaktuan edhe hapat e para të kësaj organizate politike në rrugëtimin e saj”, thuhet në deklaratën e parë për media të kësaj force politike”, deklaroi Patozi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here