Kryetarja e Prokurorisë së Pukës, Elidiana Kasa doli ditën e djeshme para trupës gjykuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për t’u njohur me gjetjet për pasurinë, figurën dhe profesionalizmin. Por sipas të gjitha gjasave, ajo do të konfirmohet në detyrë sepse KPK nuk kishte gjetur probleme gjatë hetimeve. Më konkretisht, për pasurinë, komisionerët e vetingut kishin konstatuar se Elidiana Kasa ka në pronësi një apartament me sipërfaqe 95.3 m2 të blerë në vitin 1999, një apartament në qytetin e Pukës me sipërfaqe 69 m2, ku prokurorja Kasa zotëron 1/3 si dhe apartament në Kashar të Tiranës, i blerë në vlerën e 37 mijë eurove. Sipas KPK, për këto pasuri kryeprokurorja ka kryer deklarime të sakta dhe nuk janë gjetur parregullsi.
KPK hetoi edhe për dy dhurata me vlerë 8 mijë dollarë dhe 12 mijë dollarë që bashkëshorti i Kasës kishte marrë nga e motra dhe vëllai i tij që jetojnë në SHBA, por nuk është gjetur asnjë pasaktësi. Elidiana Kasa i ka justifikuar këto dy dhurata përmes dokumentacioneve ligjore nga personat që i kanë dhënë. Në pronësi të Kasës ishte edhe një automjet i blerë për 1750 euro në Kosovë, por as për të nuk u gjetën probleme. E rregullt ishte edhe një sipërfaqe toke prej 400 m2 e përfituar nga bashkëshorti dhe llogaritë bankare të deklaruara nga subjekti. Sa i takon kriterit të figurës, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka vlerësuar pozitivisht kryeprokuroren, duke konstatuar përshtatshmërinë e saj për të vijuar detyrën. Edhe lidhur me aftësitë profesionale, prokurorja e Kukësit u vlerësua mirë. Sipas KPK, ndaj saj nuk ka rezultuar të jetë marrë ndonjëherë masë disiplinore. Sakaq, trupa gjykuese relatoi se ndaj Elidiana Kasës janë depozituar edhe disa denoncime, por pas hetimit të KPK ka rezultuar se nuk ka asnjë bazë që të provohen pretendimet e denoncuesve. Një prej denoncuesve akuzonte prokuroren se ka fshehur pasurinë pasi dispononte një lokal dhe një kalçeto në emër të vëllait, si dhe një shtëpi në Velipojë ku bënte pushimet çdo vit. Por pas verifikimeve të KPK ka rezultuar se kjo nuk është e vërtetë dhe se i vëllai i Kasës nuk kishte fshehur pasurinë.