Dokumente dhe 44 foto për Aleksandër Moisiun si njeri dhe artist

0
416

“Aleksandër Moisiu, njeriu dhe artisti”, me foto dhe dokumente të panjohura më parë mbledhur në arkivat austriake nga studiuesi Pjetër Logoreci gjatë një periudhe kërkimore 7- vjeçare u çel për publikun. Kjo ekspozitë realizohet nga COD në bashkëpunim me Fondacionin “Moisiu”.  44 foto të printuara në kanavacë tregojnë disa nga momentet më të rëndësishme të jetës së Moisiut si: fëmijëria, familja, dokumentet e rëndësishëm të jetës së aktorit, si dhe pamje nga rolet e tij në film e teatër. Bëhen publike për herë të parë  foto me imazhe të  objekteve personale të aktorit si: stampa e dorës, flokët origjinalë, maska e vdekjes, spaletat e ushtarakut, kurora e aktorit më të mirë të Evropës, si dhe disa foto nga ceremonia mortore e Aleksandër Moisiut në Vjenë. Ekspozita sjell foto me objektet personale të aktorit, pronë e Muzeut Kombëtar të Teatrit Austriak, shumë nga të cilët së bashku me dokumente shkresorë apo korrespondencën e tij personale, janë dhuruar në vitin 1958 nga bashkëshortja e tij Johanna Terwin. Në vitin 1971, këtij koleksioni iu shtua dhe trashëgimia dokumentare që kishte mbledhur për Aleksandrin, adhuruesja e tij, Maria Dobrozensky.

Përveç këtyre objekteve, në fondin “Moisiu”, ka dhe shumë vepra të tjera, si të shkruara, ashtu dhe nga arti pamor të cilat mungojnë këtu, sepse u përkasin koleksioneve private. Përveçse i jashtëzakonshëm profesionalisht, ai ishte i jashtëzakonshëm dhe si njeri. Ai nuk shmangu apo refuzoi asnjëherë  ftesat për takime që i dërgoi komuniteti shqiptar. Shumë herë ai i kishte shfaqur dëshirën për një vizitë në Shqipëri si dhe për të pasur shtetësinë shqiptare. Në një njoftim që konsullata shqiptare në Vjenë i dërgon Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë shkruhet: “Më 7 nëntor 1933 u paraqit në konsullatën shqiptare në Vjenë, artisti i famshëm Aleksandër Moisiu, i cili bëri kërkesën për marrjen e shtetësisë shqiptare për vete dhe bashkëshorten Johanna Terëin Moisiu. Ky refuzoi gjithë shtetësitë e tjera dhe dëshiron të pranohet vetëm si shtetas shqiptar, siç ka qënë dhe familja e tij e dalun me kohë prej Kavaje”. Gjigandë të artit botëror si Pirandelo, Chaplin, Stanislavski, Kafka, Caruso, Cvajg, ishin miqtë e tij. “Një gjeneratë e tërë e ka dashur atë,  “dashnorin e pakrahasueshëm”, i cili nëpërmes  zërit të tij hyri thellë në zemrat e të gjithë kombit gjerman” shkruan Stefan Cvajg: “Moisiu është një artist të cilit “suksesi” i del nga koka, nga goja zëri i mrekullueshëm, nga sytë vështrimi që flet aq shumë”, vijon Kafka. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 8 maj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here