Ministria e Financave draft me kritere të reja për qiratë e të pastrehëve, ja formula e përllogaritjes së subvencionit

0
446

Ministria e Financave ka gati draftin me kriteret e reja të dhënies së subvencionit të qirasë për kategoritë që gëzojnë përparësi në subvencionimin e qirasë në tregun e lirë, nëpërmjet buxhetit të shtetit dhe mënyrën e llogaritjes së subvencionit. Drafti, i cili ende nuk ka marrë firmën e Këshillit të Ministrave përcakton se përparësi në subvencionimin e qirasë sipas sistemit të pikëzimit kanë, por pa u kufizuar në to, kanë kategoritë e përcaktuara në nenin 34/4 të ligjit 22/2018 “Për strehimin social”. Në këto kategori bëjnë pjesë; jetimët, personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit, invalidët e punës, familjet e policëve të rënë në detyrë, emigrantët e rikthyer, punëtori emigrant, azilkërkuesit, familjet e komunitetit rom, familjet e komunitetit egjiptian, viktimat e dhunës në familje, viktimat e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit, prindërit e vetëm, që kanë në ngarkim fëmijë, individët që i përkasin komunitetit LGBTI, të miturit, 14-18 vjeç, dhe të rinjtë, 18-21 vjeç, në konflikt me ligjin, kur dalin në lirim pas kryerjes së dënimit, kur kanë nevojë për banesë, familjet me statusin e qiramarrësit në banesa ish-pronë private. Njësia e vetëqeverisjes vendore përcakton vlerën konkrete të subvencionimit të qirasë për banesat më pronësi të pronarit social në tregun e lirë, bazuar në vlerën mesatare të qirasë në tregun e lirë, e cila vlerësohet sipas zonave të ndryshme urbane e rurale të një njësie të vetëqeverisjes vendore si dhe të ardhurat familjare sipas kategorizimit në germën ç), të pikës 45 të nenit 2 të ligjit 22/2018, (që janë familjet me ndihmë ekonomike) si dhe në aftësinë e familjes për të përballuar pagesat mujore të qirasë.

Si llogaritet masa e subvencionit

Masa e subvencionimit të qirasë për çdo individ/familje llogaritet si diferenca midis qirasë reale që paguan familja dhe aftësisë së vetë familjes/individit për të përballuar pagimin e qirasë. Qiraja reale nuk mund të jetë më e lartë se qiraja mesatare. Masa e subvencionimit të qirasë është: e plotë për të gjithë vlerën e qirasë të përcaktuar për familjet pa të ardhura, sipas përcaktimit të germës “ç” të pikës 45 të nenit 2 të ligjit 22/2018; e pjesshme dhe në raport të zhdrejtë me të ardhurat mesatare të individit/familjes në përputhje me kategorizimin e parashikuara nga germa ‘ç” e pikës 45 të nenit 2 të ligjit 22/2018, sipas formulës që i bashkëngjitet këtij vendimi në shtojcën ”A”; e barabartë me zero, atëherë kur një familje me të ardhura mujore mesatare shpenzon më pak se 25% të të ardhurave mujore për pagesën e qirasë.

 Si përfitojnë fonde bashkitë nga buxheti i shtetit

 Drafti i Financave parashikon se njësitë e vetëqeverisjes vendore për përfitimin nga fondet e buxhetit të shtetit për subvencionimin qirasë së banesave të pronarëve sociale aplikojnë pranë ministrisë përgjegjëse për strehimin brenda muaji të çdo viti. Kërkesa për subvencionim qiraje nga banesat e pronarëve socialë në tregun e lirë shoqërohet me kostot financiare që lidhen me numrin e përfituesve dhe ndarjen e tyre sipas kategorive përkatëse që përfitojnë me prioritet, por pa u kushtëzuar vetëm në to. Njësia e vetëqeverisjes vendore paraqet kërkesën për marrjen nga buxheti i shtetit të fondeve për subvencionin e qirasë së banesave të pronarit social pranë ministrisë përgjegjëse për strehimin, kur janë plotësuar kërkesat e nenit 69 të ligjit 22/2018 “Për strehimin social”, për aq sa përshtaten me programin e subvencionimit të qirasë dhe kur plotësohen kriteret e mëposhtme: nuk disponon banesa sociale me qira të lira; nuk zotëron fonde për investime të reja ose blerje banesash në treg; ndërtimi ose blerja e banesave nga tregu është më i kushtueshëm sesa subvencionimi i qirave; ka banesa të lira në pronësi të pronarëve socialë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here