Mynyr Koni rrezikon kallëzimin penal, Besa Shahini zbardh skandalet e rektorit, mesazh presidentit të pranojë shkarkimin

0
432

Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, përveç shkarkimit, rrezikon shkojë dhe për ndjekje penale. Ministrja Besa Shahini ka folur dje për vendimin që mori mbi pezullimin e tij, duke deklaruar se Koni ka kryer shumë shkelje. Gjatë një interviste televizive, ajo nuk mohoi dhe faktin se pas shkarkimit që mund të vijë nga Meta, të ketë dhe kallëzim penal në prokurori. “Do t’i marrim gjërat me radhë. Hapin e parë e kemi bërë, propozimi i ka shkuar Presidentit. Do të presim përgjigjen e tij dhe pastaj do të marrim me radhë të gjitha”, tha ajo kur u pyet nëse do ketë padi penale. Më tej ajo tregoi dhe shkeljet e rektorit, duke thënë se kanë qenë të patolerueshme. “Ligji parashikon se nëse ministri sheh shkelje nga ana e rektorit, mund të propozojë shkarkimin e tij. Nuk ka asgjë antiligjore në këtë mes. Në 2018 kanë shkuar dy grupe inspektimi në Universitetin e Tiranës për të parë se si e zbaton ky universitet ligjin e arsimit të lartë dhe kanë gjetur një sërë shkeljesh. Senati dhe bordi kanë zbatuar rekomandimet dhe kanë nisur me zbatimin e tyre, ndërsa rektori nuk e ka bërë”, deklaroi Shahini. Por vendimi i ministres për të shkarkuar Konin nga detyra, mund të kthehet në betejën e radhës mes qeverisë dhe Presidencës. Sipas ligjit, ministrja vetëm e pezullon dhe vendimin final e ka presidenti. Por kohët e fundit Meta ka dhënë sinjale të qarta se është gati të dalë kundër qeverisë për gjithçka. Kjo do të thotë se brenda 30 ditëve ai pritet të refuzojë kërkesën e ministres. Por Besa Shahini i dërgoi atij një mesazh në distancë, duke thënë se Koni duhet të shkarkohet sepse ka shkelje të ligjit. “Ligji për arsimin e lartë ndan kompetencat mes administratorëve dhe pjesës akademike të universitetit. Rektori ka marrë kompetenca që nuk i takojnë dhe ka penguar procese që nuk duhet t’i pengonte. Për shembull ka penguar përdorimin e arkiv-protokollit. Mbi këto shkelje ligjore që kanë paralizuar universitetin është bërë propozimi te Presidenti. Besoj se kemi argumentuar mirë dhe Presidenti do ta pranojë propozimin për shkarkim”, shtoi ministrja.

Shkeljet e Konit

Gazeta “Sot” ishte e para që publikoi raportin e Ministrisë së arsimit, i cili tregon të gjitha aferat e Mynyr Konit në krye të Rektoratit të Universitetit të Tiranës. Raporti mban datën 31.07.2018 dhe në 115 faqe tregohen me detaje se si Koni është zhytur në paligjshmëri. Janë 5 persona të cilët e kanë firmosur dhe kanë konstatuar shkeljet që po çojnë drejt shkarkimit rektorin. Por çfarë është konstatuar realisht? Me vendim nr. 3 datë 19 01 2017 të Senatit të UT “Për miratimin e strukturës së grupit të punës për hartimin e Statutit dhe Rregullores së Universitetit të Tiranës” si dhe Urdhrin e Rektorit nr.13, datë 16.02.2017 “Për miratimin e grupit të punës për hartimin e Statutit dhe “Universitetit të Tiranës”, është ngritur grupi i punës për hartimin e akteve nënligjore në zbatim të ligjit 80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë ”. Grupi i Punës së MASR, ka konstatuar se ende nuk ishte miratuar nga Senati Akademik, Statuti dhe Rregullorja e brendshme e IAL-së, gjë e cila është e provuar pasi mungon vendimi i miratimit nga Senati Akademik i UT. Statuti dhe Rregullorja e brendshme e UT duhet të kishin përfunduar dhe të ishin miratuar nga Senati Akademik brenda vitit të parë akademik nga hyrja në fuqi e ligjit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here