Afrimi i zgjedhjeve vendore të 30 qershorit kur ka mbetur edhe një jave nga skadimi i afatit për regjistrimin e partive politike për këto zgjedhje, kanë shkaktuar përplasjet e para mes opozitës. Kjo u ve re edhe ditën e djeshme mes partive që tashme kanë dalë jashtë Parlamentit dhe politikanëve që vendosën të marrin mandatin e të hyjnë në Kuvendin e Shqipërisë, sikundër është Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Deputeti i kësaj force politike, Ligoraq Karamelo i kërkoi kreut të PBDNJ, Vangjel Dule që të reflektojë dhe kurrsesi të mos i bojkotojë vendoret e 20 qershorit. Sipas tij, partia ku ai militon duhet të marrë pjesë në zgjedhjet lokale dhe të mos ndjekë Partinë Demokratike dhe partitë e tjera opozitare.
“Ato kanë një rëndësi të veçantë sepse komunitetet përfaqësohen, zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe ushtrojnë të gjitha kompetencat në zbatim të kushtetutës dhe të konventave ndërkombëtare. Aq më tepër që sot kemi një ligj për minoritetet i cili kërkon aplikim në këto zona. Kështu që në këtë kuadër është më se e domosdoshme që të gjitha minoritetet, padyshim edhe minoriteti grek do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, sepse pjesëmarrja në zgjedhjet lokale përveç të tjerave, duhet zhveshur edhe nga konteksti politik. Zgjedhjet lokale në qoftë se vazhdojmë ti konceptojmë si zgjedhje politike është një qëndrim i gabuar”, deklaroi deputeti Ligoraq Karamelo. Por vendimmarrja finale i ngelet forumeve të partisë, dhe kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule është rreshtuar në krah të koalicionit opozitar, i cili nuk pranon zgjedhje me Edi Ramën në postin e kryeministrit. Padyshim që pjesëmarrja e partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut është një vendimmarrje e të gjithë strukturave të partisë, e Kryesisë, padyshim edhe e kryetarit dhe besoj që do të gjejmë një konsensus të tillë për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale. Nga partitë që hynë në Parlament pas djegies së mandateve, deri tani është konfirmuar se Balli Kombëtar Demokrat që tashmë ka deputet kryetarin Alimadhi do regjistrohet në zgjedhjet lokale. Ndërkohë që opozita deri më tani nuk ka deklaruar zyrtarisht vendimin për bojkotin e zgjedhjeve lokale, edhe pse është e qartë se ajo nuk do garojë në 30 qershor, përsa kohë që nuk plotësohet kushti i saj për largimin e kryeministrit Rama e krijimin e një qeverie tranzitore.


































