Një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, duke përvijuar kështu paktin historik mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut të këtij viti, është ende e mundshme brenda vitit 2019, pavarësisht pengesave të mëdha gjatë muajve të fundit.
Kështu është shprehur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për “The Guardian” përpara punimeve të Konferencës së Berlinit për Ballkanin Perëndimor, që do të zhvillohet në Poloni më 29 prill.
Serbia refuzon të njohë Kosovën shtet të pavarur, që prej shpalljes së Pavarësisë së kësaj të fundit në vitin 2008, edhe sot gati një dekadë nën administrimin e ndërkombëtarëve pas luftës së përgjakshme të viteve 1998-’99.
Lufta, e nxitur prej spastrimit brutal që po ushtronin forcat serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë, latë paktën 10 mijë shqiptarë të vdekur, përpara se të nevojitej një fushatë bombardimi 78-ditore nga Aleanca e Atlantikut të Veriut, NATO, për t’i dhënë fund konfliktit. Sulmet hakmarrëse gjatë kësaj kohe u morën jetën edhe qindra serbëve.
“Na duhet të ulemi e të bisedojmë edhe me armiqtë tanë të betuar, por pa parakushte, e të përpiqemi të dëgjojmë njëri-tjetrin”, tha presidenti Thaçi.
Bisedimet mes dy vendeve janë pezulluar që prej muajit nëntor, kur Kosova vendosi një tarifë prej 100 për qind ndaj produkteve që vinin prej Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.
Thaçi tha se nuk ka asnjë plan për të hequr taksën, por ritheksoi nevojën për një progres të shpejtë në këtë aspekt.