Nis verifikimi për kandidatët e SPAK, ja prokurorët më të favorizuar, kush ka hetuar më pak se 5 dosje korrupsioni eliminohet

0
467

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të nisë nesër nga puna me verifikimin e kandidatëve prokurorë për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion. Të hënën anëtarët e Komisionit të Posaçëm, të ngritur për të kaluar në sitë precedentët për SPAK, do të marrin në duar dosjet e dorëzuara nga të 25 garuesit dhe më pas do të nisë shqyrtimi i tyre me imtësi. Pak ditë më parë kandidatët dorëzuan dokumentacionin e nevojshëm pranë KLP, ndërsa u paraqitën edhe për t’u informuar rreth rregullores dhe mënyrës sesi do të kryhet verifikimi i tyre. Tashmë që ata kanë dorëzuar edhe dokumentet, asgjë nuk e pengon KLP që të nisë nga puna për “vetingun” e aplikantëve. Sipas rregullores së miratuar nga KLP, anëtarët e Komisionit shqyrtojnë edhe standardet e kandidatëve. Standardet përfshijnë aplikimin e kandidatit, vlerësimet e mëparshme të kandidatit, produktet e mëparshme të punës, deklaratat e motivimit ose dokumente të tjera të bashkëngjitura. Më pas, Komisioni vendos shkallën e vlerësimit të secilit kriter për secilin kandidat me shumicë të thjeshtë dhe ia propozon Këshillit. Anëtarët e mbetur në pakicë në Komision mund t’i propozojnë dhe argumentojnë Këshillit një shkallë të ndryshme vlerësimi. “Anëtarët e Komisionit arsyetojnë për shkallën e propozuar të vlerësimit dhe përshkruajnë faktet mbi të cilat mbështesin arsyetimin. Propozimit i bashkëlidhen të gjitha dokumentet mbështetëse”, thuhet në rregullore. KLP, bazuar në propozimin e Komisionit, vendos shkallën e vlerësimit për secilin kandidat dhe për secilin kriter. Më pas, çdo anëtar i KLP vendos pikët për secilin prej kritereve. Në përfundim të procesit të pikëzimit, kandidatët renditen sipas numrit të pikëve. Në fund, sapo të plotësohet numri i nevojshëm i prokurorëve, KLP mblidhet për të ngritur Prokurorinë e Posaçme.

Prokurorët më të favorizuar

Rregullorja e miratuar nga KLP për ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion përcakton edhe se kush janë prokurorët më të favorizuar për tu bërë pjesë e këtij organi. Sipas rregullores, ata prokurorë që kanë hetuar me sukses mbi pesë dosje të korrupsionit dhe të krimit të organizuar do të vlerësohen maksimalisht, duke iu hapur kështu në një farë mënyre rruga për të qenë anëtar i Prokurorisë së Posaçme. “Kandidati vlerësohet me “Kualifikim të lartë” për këtë kriter kur verifikohet një nga faktet e mëposhtme: ka hetuar me sukses jo më pak se pesë çështje penale të ndërlikuara ligjërisht ose në fakte, përfshi përdorimin e metodave të avancuara të hetimit dhe qasjen proaktive”, përcaktohet në rregullore. Por kush janë prokurorët që me më shumë gjasa do të marrin miratimin e KLP për tu emëruar prokuror i posaçëm? I pari në listë është ai i Prokurorisë së Përgjithshme, Arben Kraja. Anëtarët e organit qendror të akuzës kanë qenë ata që kanë pasur në dorë dosjet e korrupsionit, ndërsa Arben Kraja ka hetuar më shumë se 5 dosje të tilla, për më tepër që ka drejtuar edhe taks forca kundër korrupsionit. Ajo që vlen për t’u theksuar është fakti se Kraja e ka kaluar procesin e vetingut me sukses. Të dytët në listë më të favorizuar për t’u bërë pjesë e SPAK janë prokurorët e Krimeve të Rënda. Nëse prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme kanë hetuar më shumë se 5 dosje korrupsioni, ata të Krimeve të Rënda kanë hetuar dosjet e krimit të organizuar. Nga Krimet e Rënda kanë kandiduar për SPAK Altin Dumani, Besim Hajdarmataj, Besnik Muçi, Donika Prela, Dritan Prençi, Eugen Beci, etj. Pra këta emra plotësojnë kriterin kryesor të përcaktuar nga rregullorja: hetimin e 5 dosjeve të korrupsionit dhe të krimit të organizuar dhe kanë më shumë premisa të bëhen pjesë e SPAK. Ndërsa ata më pak të favorizuarit janë prokurorët e rretheve: Dorina Bejko nga Pogradeci, Elida Kaçkini nga Elbasani, Enkeleda Xhengo nga Elbasani, etj.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here