Google search engine
Home Bota Rajoni Dhjetra mijëra njerëz marshojnë në Serbi kundër presidentit Vuçiç

Dhjetra mijëra njerëz marshojnë në Serbi kundër presidentit Vuçiç

0
438

Disa dhjetra mijëra njerëz kanë protestuar dje në kryeqytetin e Serbisë në demonstratën më të madhe deri tani kundër regjimit të presidentit autokrat Aleksandar Vuçiç, në lëvizjen e nisur katër muaj më parë nga opozita. Demonstruesit u mblodhën fillimisht para kryeministrisë dhe më pas rrethuan parlamentin në qendër të Beogradit duke akuzuar Vuçiç për diktaturë dhe duke kërkuar më shumë demokraci, liri të medias dhe zgjedhje të lira. Liderët opozitarë thanë se autoritetet kishin ndaluar ardhjen e mbështetësve të tyre në Beograd nga qytete të tjera duke ndaluar linjat e autobusëve dhe me pengesa të tjera, por turmat gjithsesi arrinin në më shumë se 60 000 sipas organizatorëve. Policia tha se protestuesit arrinin në vetëm 10,000 vetë, që është më pak se protestat e rregullta të mbajtura çdo të shtunë që prej fundit të dhjetorit. Aleanca për Serbinë, si organizatore e protestës, ka ftuar qytetarët nga e gjithë Serbia të marrin pjesë në protestë. Ndërkohë ishin shtuar masat e sigurisë në ndërtesën e Kuvendit të Serbisë.

Bllokimi në parlament

Deputetët e partisë konservatore të Vuçiç vendosën të qëndronin dje brenda parlamentit dhe bashkive lokale, siç thanë ata për të parandaluar “marrjen me forcë të pushtetit nga fashistët dhe rrugaçët”. Kjo erdhi pasi tensionet ishin përshkallëzuar gjatë javës nga mediat pro-qeveritare që thonin se opozita kërkon të mësyjë në institucionet shtetërore për të marrë pushtetin me forcës. Protestat e përjavshme anti-qeveritare serbe kanë qenë kryesisht paqësore, përveç muajit të kaluar, kur një grup protestuesit kishin hyrë në ndërtesën e transmetuesit publik, RTS duke kërkuar që t’iu lejohet që të paraqesin kërkesat e tyre. Policia kishte arritur që t’i nxjerrë nga ndërtesa. Edhe ish-lideri autokrat serb Slobodan Miloshevic u rrëzua nga pushteti në vitin 2000 pasi protestuesit bastisën ndërtesën e parlamentit në Beograd. Asokohe Vuçiç ishte bashkëpunëtor i ngushtë i tij. Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviç tha dje se policia ndodhet brenda ndërtesës së parlamentit për parandaluar “nëse dikush përpiqet ta djegë atë apo të vjedhë pikturat dhe mobiliet brenda saj, si dhe të mbrojë deputetët dhe punëtorët brenda ndërtesës”. Në një postim tjetër Stefanoviç shtoi se “nëse dikush tenton të sulmojë institucionet shtetërore siç bën me RTS, këtë nuk do të ia arrijnë”.

Vuçiç kundërpërgjigjet me anti-miting

Presidenti Vuçiç deklaroi dje para protestës se do të ftojë qytetarët për bashkim dhe unitet në një tubim në Beograd më 19 prill. Ai u mundua të fitonte mbështetje duke mbjellë panik, duke thënë uniteti është i nevojshëm pasi Serbinë e presin shumë probleme. “Nuk nuk do të fshihemi më 19 prill. Nuk do të shëtisim nëpër rrugë, por do të qëndrojmë me një vend për të treguar se sa prej nesh jemi”, tha Vuçiç për televizionin Pink. Presidenti Vuçiç tha se opozita Aleanca për Serbinë nuk ka 10 për qind të mbështetjes së qytetarëve. “Para çdo fshati unë mund të mbledh më shumë njerëz”, tha Vuçiç duke komentuar pjesëmarrjen, sipas tij, të ulët në protestat e opozitës. Që prej dhjetorit të vitit të kaluar, në Serbi po mbahen protesta për të kundërshtuar, siç thuhet, sundimin autokratik të Vuçiç dhe kufizimit të lirisë së mediave. Vuçiç ka tentuar që ta paraqes vetes si një reformator pro-Bashkimit Evropian, teksa kërkon që të mbajë marrëdhënie të mira, me aleaten tradicionale, Rusinë. Të njëjtën strategji të anti-mitingut ka ndjekur edhe kryeministri Edi Rama në Shqipëri, ndërkohë që opozita vijon protestat.

Andi Lamko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here