Raporti zyrtar për grabitjen në Rinas, ICTS nuk i hapi derën FNSH, Policia e Shtetit nuk u njoftua në kohë

0
387

Zyra Operacionale pranë Kryeministrisë ka përgatitur një raport zyrtar për ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë në aeroportin e Rinasit. Në raport, Zyra Operacionale ka përshkruar me detaje të gjithë dinamikën e ngjarjes. Duke iu referuar të dhënave të Policisë së Shtetit, Autoritetit Civil dhe kompanisë koncesionare, Zyra Operacionale ka përcaktuar se porta e parkingut të Rinasit është hapur në orën 14:57 minuta e 30 sekonda nga furgoni me mbishkrimin “Hetimi tatimor”, ku ndodheshin 5 grabitës. Për ta hapur portën, grupit kriminal i janë dashur vetëm një minutë e 20 sekonda, ndërsa më pas kanë parkuar fugonin tek krahu i djathtë i avionit të kompanisë “Austrian Airlines”. Në këtë moment grabitësit janë hedhur në sulm për të vjedhur paratë. Sipas raportit, në orën 15:02 e 20 sekonda ata janë afruar tek porta që ndodhet pranë pjesën fundore të rrethimit verior, kanë prerë zinxhirin e portës dhe kanë dalë. Pas 35 sekondash kanë dalë në rrugën që të çon në drejtim të fshatit Tapizë, Fushë-Krujë. Në kohën kur grabitësit i janë afruar avionit, një fugon i policisë së aeroportit të Rinasit ka qenë para vendqëndrimit të avionëve për të marrë persona të deportuar, por nuk ka pasur fushëpamje dhe nuk është njoftuar nga shërbimet e ICTS. Ndërsa Shërbimet e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë që kanë qenë të dislokuara tek hyrja e portës “A” jashtë pistës së avionëve, në 15:00 e 45 sekonda kanë zbritur nga fugoni i shërbimit, kanë vrapuar për tek porta hyrëse për në pistën e avionëve, e cila ishte e mbyllur dhe nuk u hap nga punonjësit e ICTS. Në orën 15:01 e 30 sekonda, FNSH ka mundur t’u afrohet autorëve në një distancë prej 20 sekondash. 25 sekonda me vonë shërbimi zjarrfikës informon punonjësit e policisë që një mjet ka hyrë tek porta pranë shërbimit të zjarrfikëses. Policia thotë se Oficeri Menaxher në Detyrë ka telefonuar shefin e Komisariatit Rinas në orën 15:02 e 51 sekonda duke e informuar për rastin. Po ashtu, në raport thuhet se në orën 15:04, ICTS ka njoftuar në numrin e Sallës Operative të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Në konkluzionet e raportit të Zyrës Operacionale, thuhet se koncesionari TIA dhe kompania e sigurisë ICTS nuk kanë njoftuar në kohë Policinë e Shtetit. Sipas raportit, njoftimi i është bërë plot 5 minuta e 21 sekonda nga momenti i cenimit të rrethimit. ICTS ka njoftuar Sallën Operative të Policisë 6 minuta e 30 sekonda nga cenimi i rrethimit dhe rreth 2 minuta me vonesë nga largimi i autorëve nga perimetri. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here