A fshihen politikanë pas vrasjes së vëllait të Arben Ndokës? Ish-deputeti zbardh të vërtetën e ekzekutimit në Lezhë

0
410

Ish-deputeti socialist, Arben Ndoka ka dhënë dje sinjale të qarta se në vrasjen e vëllait të tij 2 vite më parë mund të jenë përfshirë persona të pushtetshëm. Pak ditë më parë prokuroria vendosi të sekuestrojë pasurinë e tij, por Ndoka është shprehur se kjo është hakmarrje, pasi ai ka zbuluar personalisht se kush fshihet pas ekzekutimit që ju bë vëllait të tij në dhjetor të 2017. “Gjatë hetimit të një procesi, prokuroria nuk del me sekuestrimin e pronave por me një ngrirje të pronave. Deri në këtë moment, të gjitha lajmet janë aludime. Kjo shifër që aludohet është shumë e madhe, duhet të përfshish nga Shëngjini deri në Malin e Zi, por edhe detin Adriatik që ta zotërosh. Pasi kam bërë dorëzimin e mandatit, ILDKPI ka bërë kallëzim në Prokurori për deklarim të pasurisë. Unë nuk jam këtu për asnjë arsye të cilat janë thënë, por sepse në mënyrë personale kam gjetur vrasësin e vëllait tim”, tha ai në një intervistë për “Fax News”. Më tej, Ndoka tha se vrasësit e vëllait të tij kanë ndikim shumë të madh te Krimet e Rënda. Sipas tij, prandaj u bë dhe sekuestrimi. “Vrasësit e vëllait tim nuk kanë influencë në prokuroritë e rretheve por vetëm në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe ndaj e kanë dërguar çështjen atje. Nëse dikush ka dëshirë të më japë prona që si kam është çështje tjetër. Unë nuk kam asnjë centimetër tokë askund. Paskam qenë në përgjim prej tre vitesh, ku janë këto përgjime që thonë se ekzistojnë. Jam unë personi i cili aludohet se kam “X” sipërfaqe prona. Ku janë këto prona? Ti tregojë dikush fizikisht. Kur ka ndodhur që të arrestohet një familje për pronat, që në fakt nuk ekziston asgjë, as në emrin tim, as të familjarëve të mi e as në 7 breza”, tha ai. Duke qenë se Ndoka flet për influencë te Krimet e Rënda, të gjitha dyshimet janë se bëhet fjalë për persona me pushtet të përfshirë në këtë ngjarje. Në dyert e drejtësisë flitet që mund të jenë përfshirë politikanë të lartë dhe dje Ndoka dha sinjale të qarta se do e zbardhë të vërtetën.

Hetimet për vrasjen e vëllait

Ish-deputeti ka folur gjatë për vrasjen e vëllait të tij. Sipas tij, prokuroria ka mbyllur historinë e vrasjes edhe pse ka prova. “Problemi im është shumë më i madh se pronat, është vrasja e vëllait tim. Është gjetur një kapele në të cilën ka pasur një fije floku, askush nuk është marrë me këtë çështje, edhe Prokurori e Krimeve të Rënda e cila nuk më ka thirrur për të kërkuar kontributin tim se mbase do ti çoja tek autorët duke ju dhënë indicie dhe dyshime. Natyrisht arrestimi im ka të bëjë me vrasjen e vëllait tim, sepse autorët janë po ata që po më nxjerrin probleme mua. Unë besoj se gjetjen e autorëve do ta bëj privatisht, pasi nuk besoj se prokuroria mund ta bëjë këtë gjë. Kam bërë kërkime privatisht, sepse nuk e kam pasur mbështetjen e organeve për vrasjen e vëllait tim”, tha Ndoka. Pyetjes së drejtpërdrejtë se a ka lidhje vrasja e vëllait të tij me politikën, Ndoka ju përgjigj: “Përgjigje për këtë pyetje do të kem më vonë. Tani jam i fokusuar ti zbuloj autorët privatisht, gjithë qëllimi ky është. Nuk kam asnjë të dyshuar por kam pistat e mija që mund të më dërgojnë aty. Shpresoj që në kohët në vazhdim mund të shkojmë edhe në fund. Do kisha dëshirë që ngjarja të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur. Deklaratën që e bëra në fillim e kam mbi disa baza për të cilat do të kemi kohën të flasim në të ardhmen”.

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here