Spartak Ngjela: Berisha-Basha të korruptuarit më të mëdhenj në vend, mesazhi i Palmer ishte për ta, SHBA po e sheh opozitën si bandë

    0
    325

    Avokati Spartak Ngjela ka deklaruar dje se mesazhi i Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit amerikan, Matthew Palmer se SHBA do të godasë të korruptuarit, ishte për Sali Berishën dhe Lulzim Bashën. Ai u shpreh se ata dhe njerëzit pas tyre janë më të korruptuarit, e për këtë arsye amerikanët nuk i duan. Sipas avokatit opozita është kthyer në një bandë që do trazira dhe destabilitet. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Ngjela deklaroi se me ardhjen e Palmer në Tiranë, shqiptarët panë një mënyrë të re të politikës, duke theksuar se mesazhi i tij nuk ishte thënë ndonjëherë nga politika amerikane që nga Lufta e Dytë Botërore. “Dje shqiptarët panë një mënyrë të re të politikës: talljen e politikës amerikane me të korruptuarit e mëdhenj të Shqipërisë, Berisha-Basha e CO. Zëvendës ndihmës sekretari i shtetit amerikan tha: “Të korruptuarit e Shqipërisë duhet të kenë frikë”. Nuk ishte thënë ndonjëherë kjo nga politika amerikane që nga Lufta e Dytë Botërore. Palmer e trajtoi opozitën pa mandat të Tiranës si një bandë të mundurish. Kurse banda na ka thënë se do të bëjë kryengritje. Të shohim se çfarë do të thotë sot”, tha Ngjela.

    Qëllimi i vizitës së Palmer

    Avokat Spartak Ngjela ka deklaruar dy ditë më parë se destabilizimi dhe roli i Moskës ka detyruar zyrtarin e DASH të vijë në Tiranë. Ai u shpreh se Rusia po përkrah zyrtarët e korruptuar në Shqipëri, duke theksuar se përmes tyre Putin kërkon të krijojë qeverinë e vet në mënyrë që të ndalojë instalimin e bazës ushtarake në Kuçovë. “Korrupsioni i lartë shtetëror i të gjitha qeverive në këta dhjetë vjetët e fundit, nuk shpëton dot. Janë skeduar që të gjithë, dhe kot vijnë vërdallë për të destabilizuar Shqipërinë. Shqipëria nuk mund të destabilizohet. Sot po dallohet një ndërhyrje me trysni e politikës ruse në Shqipëri. Çështja është se politika ruse, duke përkrahur korrupsionin e lartë shtetëror shqiptar, kërkon që me ta të krijojë qeveritë e veta për të ndaluar instalimin e bazave ushtarake amerikane në Shqipëri dhe vetë influencës amerikane në këtë vend. Politika ruse po kërkon në fakt bllokimin e fenomenit të panshqiptarizmit në Ballkanin Perëndimor”, tha ai.

    Ja mesazhet e Palmer

    Zëvendës-ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Matthew Palmer dy ditë më parë u ka dërguar një mesazh të gjithë të korruptuarve në vend, duke e bërë të qartë se kushdo që ka kryer afera do japë llogari. Sipas zyrtarit të DASH, reforma do jetë shumë e dhimbshme dhe do prekë pjesët më të larta të politikës. “Kemi kontribuuar shumë gjatë 20 viteve të fundit, duke investuar dhe trajnuar për profesionalizmin e zyrtarëve në sektorin gjyqësor në Shqipëri. Do të vazhdojmë ta bëjmë. Do të vazhdojmë të ndërtojmë kapacitete, të forcojmë aftësitë që individët sjellin në institucione, e të forcojmë integritetin e vet institucioneve. Po ashtu do të punojmë për t’i bërë zyrtarët, sidomos zyrtarët e zgjedhur, përfaqësuesit e lartë të qeverisë të japin llogari; llogari ndaj popullit të tyre dhe llogari ndaj procesit të integrimit europian. Shqipëria aspiron anëtarësimin në BE. Ky është një proces i gjatë dhe i vështirë, që do të kërkojë reforma themelore. Disa prej tyre do të jenë të vështira, disa prej tyre do të jenë të dhimbshme politikisht. Por ne do të punojmë për të theksuar për popullin shqiptar se çfarë pritet, e do të punojmë me udhëheqësit e zgjedhur për t’u siguruar që do të japin rezultate për ato angazhime që marrin”, tha ai. 

    Elisjeda Kiko

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here