Reforma në drejtësi duket se shumë shpejt do të japë efektet e shumë pritura. Edhe pse opozita po e sulmon procesin nga dita në ditë, kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani dhe kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi kanë zbuluar ditën e djeshme se ringritja e Gjykatës Kushtetuese dhe ngritja e SPAK do të bëhet për çështje ditësh. Fillimisht, ka qenë kreu i KLP, Gent Ibrahimi, i cili gjatë punimeve të Këshillit Kombëtar të Integrimit, që u zhvillua dje në Tiranë, theksoi se Këshilli që ai drejton është duke punuar intensivisht për përmbushjen e detyrave ligjore dhe në këtë kuadër ngritja e Prokurorisë Speciale do realizohet shumë shpejt. Sipas tij, 25 kandidatët e SPAK kanë dorëzuar dokumentet dhe në ditët në vijim do të dalin para Këshillit të Lartë të Prokurorisë. “Kemi katër muaj që kemi nisur punën, më 17 dhjetor 2018. Intensiteti i punës ka qenë i madh. Kemi punuar për organizmin e brendshëm, duke përdorur me efikasitet burimet njerëzore. Fronti i tretë i punës sonë është përzgjedhja e kandidatëve dhe vlerësimi i tyre për krijimin e SPAK dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Natyrisht, këto janë vetëm aktet finale, por që të vijmë deri në këtë pikë, krijimi i SPAK lipset faza përgatitore, rregullatore, që e kemi kryer tashmë. Është një rregullore që synon të vlerësojë kandidatët për nga profesionalizmi dhe integriteti. Ka filluar faza e verifikimeve. Dje Këshilli thirri kandidatët, pas verifikimit të parë kemi tanimë 25 kandidatë nga 28 në total. 25 kandidatët erdhën dje dhe u informuan mbi rregulloren dhe tashmë presim dokumentacionin nga fillimi i javës së ardhshme dhe pas kësaj do t’i japim Shqipërisë SPAK-un”, deklaroi ai. Duke u ndalur tek gara për Prokurorin e Përgjithshëm, zoti Ibrahimi bëri me dije se institucioni që ai drejton është në pritje të kandidaturave. “E njëjta situatë është dhe me Prokurorin e Përgjithshëm. Aktualisht prej 1 viti e gjysmë Shqipëria drejtohet nga një prokurore e përkohshme. Kemi shpallur garën dhe presim kandidaturat”, nënvizoi kreu i KLP, Gent Ibrahimi.
Dvorani zbardh procedurat për Kushtetuesen
I pranishëm në gjatë punimeve të Këshillit Kombëtar të Integrimit, ishte edhe kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Ky i fundit zbardhi procedurat sa i takon ngritjes së Gjykatës Kushtetuese, teksa deklaroi se procesi për verifikimin e kandidatëve për Kushtetuesen dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë ka nisur, ndërsa theksoi se procesi do përfundojë brenda pak javësh. “Procesi për verifikimin e kandidatëve në Gjykatën Kushtetuese dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë ka nisur, ndërsa procesi do përfundojë brenda pak javësh. KED ka kompetencën të vlerësojë aftësitë e kandidatëve dhe të përzgjedhë nëpërmjet tyre kandidatët më të mirë dhe më të spikatur për secilin vend, madje duke përzgjedhur tre kandidaturat për në Gjykatën Kushtetuese dhe pesë kandidatura për ILD. Ky këshill është i përbërë nga një trupë magjistratësh, profesionistësh të cilët gjykojnë dhe vendosin në bazë të aftësive profesionale jashtë gjykimit të politikës”, deklaroi ai. Më tej, Dvorani u ndal dje edhe tek puna e KED, duke theksuar se ky institucion dëshmon përgjegjshmëri. “Pavarësisht opinioneve apo qëndrimeve, KED dëshmoi përgjegjshmërinë kushtetuese, profesionalizëm për të vlerësuar dhe për të marrë vendimet e duhura dhe po punon për të riparuar situatën e pa zakontë të krijuar, ku KED nuk kishte të miratuar as aktet normative nënligjore të domosdoshme për organizmit të brendshëm e pastaj për të kaluar ke detyrimi konkret i vlerësimit të kandidaturave”, nënvizoi kreu i KED, Ardian Dvorani.
Rigels Seliman