Presidenti Ilir Meta duket se po tenton të marrë frenat e opozitës. Reagimet e tij kundër qeverisë po shtohen nga dita në ditë dhe kështu ka ndodhur dje dhe pardje. Presidenti sulmoi ashpër ekzekutivin të martën për prishjen e banesave te “Bregu i Lumit”, ndërsa dje doli në një konferencë shtypi urgjente për grabitjen në Rinas. Ashtu siç pritej, Meta nuk ndali akuzat si ndaj qeverisë, ashtu dhe policisë, ndërsa tha se është cenuar dhe siguria kombëtare. Ai shkoi deri aty sa kërkoi hetime dhe për funksionarët përgjegjës. Deklaratat e Metës ishin identike me ato që kanë lëshuar Basha, Berisha e Kryemadhi. “Ju kërkoj të gjitha agjencive ligj-zbatuese, që të gjejnë autorët. Të gjitha autoritetet përgjegjëse të kryejnë hetime të plota për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë. Të nxirren dhe evidentohen përgjegjësitë mbi çdo institucion dhe person për këtë ngjarje që mund të kishte pasur pasoja edhe më fatale mbi qytetarët tanë. Prokuroria të hetojë jo vetëm ngjarjen, por nxjerrjen përpara përgjegjësisë të çdo personi që nuk ka kryer detyrën. Presidenca në këtë mënyrë është në shërbim të organit të akuzës për të vënë përpara përgjegjësisë çdokënd që ka përgjegjësi për grabitjen”, tha ai. Po ashtu Meta tha se në vitin 2018 kur ka mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare është prekur dhe çështja e sigurisë në Rinas. Ai ka sulmuar ashpër policinë në këtë aspekt, duke thënë se nuk ka qenë efikase. “Pika e tretë e axhendës së këtij takimi ishte pikërisht raporti për pikat strategjike portuale dhe aeroportuale të Republikës së Shqipërisë. Kam ngritur shqetësimin lidhur me mungesën e përgjegjësive të qarta që viheshin re mbi garantimin e sigurisë në aeroportin Nënë Tereza, mangësitë në akses dhe ndërhyrjen e Policisë së Shtetit në raste rreziku. Kemi ngritur një sërë shqetësimesh për grabitjen. Kemi vënë re mangësitë në akses dhe koordinim për ndërhyrjen e Policisë së Shtetit në rast rreziku. Shqetësimet u mbështetën dhe nga përfaqësues të rëndësishëm. Në përfundim të mbledhjes së Këshillit, detyrat iu janë përcjellë zyrtarisht anëtarëve të Sigurisë Kombëtare”, tha ai.
Përgjegjësia e LSI
Presidenti sulmoi dje qeverinë, policinë dhe gjithë institucionet përgjegjëse, por harroi se dhe LSI është bashkëfajtore në këtë mes. Ajo që ndodhi në Rinas të martën, ndodhi edhe në vitin 2016. Në atë kohë Meta ishte kryetar Kuvendi, ndërsa në krye të Ministrisë së Transporteve ishte Edmond Haxhinasto, ish-deputet i LSI. Ishte përgjegjësi e tij që të merrte masa që në atë kohë, madje dhe duke ndryshuar kontratën me koncesionarin. Në atë kohë polica bëri disa simulime duke futur madje dhe tritol. Por të gjitha këto u injoruan nga Ministria e Transporteve, e cila duhet të kishte detyruar koncesionarin të rriste sigurinë, ose të ndryshonte kontratën. Përgjegjësinë e kishte Edmond Haxhinasto. Por ajo që rëndon pozita e presidentit është se ishte Edmond Haxhinasto që zgjati kontratën me koncesionarin në vitin 2016. Në atë kohë, ishte Autoriteti i Konkurrencës që doli hapur kundër një lëvizjeje të tillë. Po ashtu sipas këtij Autoriteti, kontrata në momentin që u zgjat mund të ishte ndryshuar. Nuk ndodhi fare një gjë e tillë, duke i veshur përgjegjësi dhe LSI, pasi Ministria e Transporteve drejtohej prej saj dhe sa kohë që Haxhinasto ishte aty, mbylli sytë ndaj paligjshmërive të TIA.
Kliti Topalli