KQZ në kolaps, mbarojnë kandidatët në Dibër dhe Durrës, 4 anëtarë të tjerë të PD-LSI futen në Parlament

0
393

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duket se është futur në kolaps sa i takon procesit të zëvendësimit të deputetëve të PD-LSI në Kuvend. Pak ditë më parë gazeta denoncoi se si KQZ po zvarrit procesin e dhënies së mandateve, ndërsa një tjetër problem tani është shterimi i listës së kandidatëve. KQZ u ka dhënë dje mandatin e deputetit dy deputetëve të PD, Arlind Çaçani në Qarkun Korçë dhe Halil Jakimi në Dibër. Por ky i fundit është kandidati i fundit që ka pranuar mandatin në Dibër dhe tani lista e PD mund të quhet e shteruar. E njëjta situatë po ndodh edhe në Durrës. I vetmi kandidat që ka pranuar mandatin e deputetit është Kujtim Gjuzi, por futja e tij në Kuvend po bllokohet nga KQZ. Të gjitha afatet ligjore në këtë aspekt kanë skaduar dhe sipas burimeve Kujtim Gjuzi ka dorëzuar dje formularin e dekriminalizimit pa marrë ende një njoftim nga KQZ. Me këtë lëvizje, edhe në Durrës ka shteruar lista e kandidatëve, çka do të thotë se KQZ do vihet para një dileme mjaft të madhe. Në zgjedhjet e 2017 partitë hyjnë të ndara në garë dhe jo në koalicion. Pikërisht kjo e vështirëson situatën, pasi ligji parashikon se kur mbaron lista e kandidatëve, vendet e lëna bosh plotësohen nga partia tjetër aleate më e madhe. Por duke qenë se nuk kishim koalicion, KQZ është vendosur përballë një dileme të madhe pasi nuk dihet ende se cilës parti do i kalojë e drejta për të plotësuar vendet e lëna bosh. Ndërkohë ajo që vihet re është se KQZ për shkak të këtyre dilemave po vijon të zvarrit procesin e zëvendësimeve.

Deputetët e rinj 

Vendet e lëna bosh nga Basha, Kryemadhi dhe deputetët pranë tyre duket se po plotësohen shumë shpejt. Ditën e djeshme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka dhënë mandatin dy deputetëve të rinj nga radhët e PD. “Rebelët” nga lista shumëemërore e Bashës janë Arlind Çaçani, i cili ka mbajtur postin e Forumit Rinor të Partisë Demokratike në qytetin e Ersekës dhe Halim Jakimi i cili ka marrë mandatin, pasi është pranuar dorëheqja e tij si këshilltar bashkiak i PD në Qarkun Dibër. Mandati i këtij të fundit ka shkaktuar debat një javë më parë në KQZ mes anëtarit Bledar Skënderi dhe zv\kryetarit Denar Biba. Ky i fundit u shpreh se për të dhënë mandatin e deputeti nuk ke pse pret procedura burokratike. “Kandidati për deputet nuk mund të penalizohet se Këshilli Bashkiak nuk i ka miratuar dorëheqjen”, u shpreh Biba. Çaçani dhe Jakimi pritet të betohen në seancën e radhës. Ndërkohë ditën e djeshme kanë dorëzuar formularin e dekriminalizimit edhe dy kandidatë të tjerë. Më konkretisht Andi Përmeti i cili ishte në listat shumëemërore të PD në qarkun e Korçës dhe Eugen Bojaxhiu nga listat e LSI në qarkun e Beratit. Fillimisht KQZ do vendosë nëse Përmeti dhe Bojaxhiu marrin mandatin e më pas pritet të betohen në seancën e ardhshme parlamentare. Deri tani numri i deputetëve në Kuvend ka shkuar në 103 nga 140 që e parashikon Kushtetuta.

Partitë e reja

Po ashtu KQZ ka regjistruar ditën e djeshme edhe dy parti të reja, të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Partia për Demokraci Liri dhe Etikë me kryetar Arian Galdini dhe Partia Social Demokrate e Skënder Gjinushit që ka në Parlament një deputet, Tom Doshin, janë regjistruar në KQZ si pjesëmarrëse në zgjedhjet lokale.

Elisjeda Kiko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here