Admir Murataj që u vra dje ishte në kërkim prej më shumë se dy vitesh si organizator edhe i tre grabitjeve të tjera të blindave me para të bankave në Rinas, dy në 2015 dhe një në 2017, teksa anëtarët e tjerë të grupit u dënuan pak ditë më parë nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë.
Mediat greke nxjerrin detaje të reja dhe shkruajnë se Murataj së bashku me një person tjetër kishin grabitur edhe një bankë në Lamia, ku shumat e marra shkonin në vlerën 1 milion euro. Mediat shprehen se paratë nuk u gjendën kurrë, dhe se pas ngjarjes Murataj u burgos në Trikala.
Kujtojmë se Admir Murataj në vitin 2013 u arratis nga burgu i Trikallas në Greqi, ndërsa kërkohej nga drejtësia e vendit fqinj për disa akuza nga vrasje, grabitje, por edhe plagosje. Sipas dosjes greke, Murataj kishte përdorur 15 emra të ndryshëm, ndërsa pas arrestimit arriti që të arratiset.