Arben Basha sjell pranverën e mbrapshtë të ’97 në një ekspozitë personale në Muzeun Kombëtar

0
462

“Impenjim dhe ngjyra” titullohet ekspozita e piktorit Arben Basha në Muzeun Historik Kombëtar. Ekspozita prezanton 62 punime në pikturë që janë realizuar pas vitit 1998, si dhe 9 grafika që autori i ka bërë gjatë kohës së shkollës në harkun kohor 1965-‘69. I njohur me krijimtarinë e tij ndër vite me pikturën, Arben Basha tregon se të gjitha veprat janë të prezantuara për herë të parë për publikun. Ai shprehet se në ciklet e pikturave të tij nuk mungon lufta e Kosovës apo dhe pranvera e mbrapshtë siç e quan ai kohën e 1997. “Në ekspozitë janë diku te 62 punime, por janë edhe 9 grafika të shkollës që janë bërë në vitet 1965-‘69 dhe që dalin për herë të parë për publikun. Këtu janë dhe cikle me piktura. I pari është pranvera e mbrapshtë, që është viti 1997 dhe ne prisnim lulet, por erdhën plumbat. Këtu është cikli me luftën e Kosovës. Kemi tablonë e Nënë Terezës, me shprehjen e bukur: “Njerëzit nuk kanë nevojë për mëshirë, por buzëqeshje”. Është dhe Progoni princi i parë i Arbërit. Unë jam munduar ta fus në kohë që të dali ky si figurë dhe më pas pjesa tjetër është lirike”, tregon piktori për disa nga punimet e tij të ekspozuara në Muzeun Historik Kombëtar. Duke folur për ekspozitën piktori mes të tjerave tregon dhe për peizazhet që nuk mungojnë për publikun. Piktori Arben Basha tregon se Shqipëria është një vend i bukur dhe në veprat e tij peizazhi është jo pak. “Kam dhe peizazhet e vendit tonë, që është shumë i bukur edhe pse nuk jemi në ato nivele social-kulturore që duhet që të ishte Shqipëria. Ngjyra është mjeti, teknika, që shpeshherë ka piktura që kanë në qendër anën koloristike”, tregon mes të tjerave piktori Arben Basha.

Puna me ekspozitën

Piktori tregon se për punimet që janë realizuar nga 1998 deri në ditët e sotme është një përzgjedhje e veprave të ekspozuara. Por sipas tij natyra i ka falur shumë në krijimtari. “Janë dy rrugë për të bërë një vepër arti, dhe unë i futëm rrugës së gjatë, që është më e lodhshme dhe mundimshme. Unë bëj dy lloj pikturash, një e bëj në natyrë, sepse më pëlqen, më jep një shpirt, një gjendje që nuk ma jep dot studioja. Unë jam i lidhur me natyrën dhe e kam pasur udhërrëfyesen time në krijimtari”, tregon piktori. Ishte viti 2002 kur piktori Arben Basha tregon se hapi ekspozitë personale në Fier dhe që nga ajo kohë e deri më sot ai ka munguar. Por kjo sipas tij sepse gjatë kësaj kohe ka pasur shumë ngjarje në vendin tonë dhe krijimtaria donte kohën e saj. “Unë kam munguar, sepse gjatë kësaj periudhe kanë ardhur shumë ngjarje në Shqipëri duke filluar nga vitet 1997-‘98, Kosova më 1999, gjëra që donin një përpunim të pikturave dhe nuk mund të isha fare i shkëputur nga problemet politike që pësonte kombi jonë. Në këtë kuptim unë kam qenë pak i veçantë dhe doja këtë ti transmetoja. Kjo më ka bërë që të punoj pa fund deri sa erdhi koha që të bëj një ekspozitë personale” tregon piktori Arben Basha më tej për punën e tij në art. Por në aktivitetin e tij Arben Basha është dhe një nga piktorët më të njohur dhe të vlerësuar të filmit shqiptar. Ai tregon se dhe puna me filmin i ka dhënë shumë në aktivitetin e tij me artin. “Puna me filmin më ka dhënë një gjë shumë të madhe, sepse nëpërmjet filmave s’kam lënë vend të Shqipërisë pa shkuar dhe pa pikturuar”, tregon piktori. Arben Basha e filloi me filmin punën si piktor në kohën kur u realizua filmi “Thirrja” për të vijuar dhe me të tjera vepra të suksesshme kinematografike si filmat “Nëntori i dytë”, “Zonja nga qyteti’, “Shoqja nga fshati”, “Çerçiz Topulli”, “Muri i gjallë”, etj, për të mbërritur deri te filmi i pas viteve ’90, “Mao Ce Dun”.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here