Një grabitje spektakolare ka ndodhur në pistën e aeroportit të Rinasit. Persona të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur makinën e blinduar me të cilën do transportoheshin paratë e një banke të nivelit të dytë. Ka pasur rezistencë dhe të shtëna me armë, dhe për pasojë ka mbetur i vdekur një nga grabitësit.
Grabitja ndodhi rreth orës 15:00. Sipas informacioneve paraprake grabitësit kanë qenë të maskuar dhe të armatosur. Nën kërcënimin e armëve kanë mundur të marrin thasët me paratë, në një shumë që dyshohet të jetë rreth dy milionë euro.
Paratë sapo kishin ardhur nga jashtë shtetit. Katër persona dyshohet të jenë grabitësit, ndërsa mësohet se ata kanë qenë me një furgon me mbishkrimin Hetimi Tatimor, dhe ky mendohet të ketë qenë kamuflimi i tyre përmes të cilit kanë mundur të futen lehtësisht deri në pistën e aeroportit. Aty kanë marrë paratë teksa do të kalonin në makinën e blinduar për transportin e tyre, e cila është e firmës “Nazeri”.
Pas grabitjes, autorët dyshohet të jenë larguar në drejtim të Fushë-Krujës, ndërkohë që një automjet që dyshohet t’i përkasë autorëve, mendohet të jetë duke u djegur në Shkallën e Tujanit.