Gjykata e Lartë ia ka lënë në dorë Administratives shqyrtimin e padisë së bërë nga Garda e Republikës kundër Agim Llupos, ish-gardistit të fajësuar për vrasjen nga pakujdesia të Ziver Veizit, një prej 4 viktimave të 21 janarit 2011. Në këtë padi Garda i kërkon Llupos t’i kthejë gati 60 milionë lekë të rinj, si shumë e shpenzuar prej saj për dëmshpërblimin e familjarëve të viktimës Veizi. Në masën e dëmshpërblimit futen edhe shpenzimet e bëra për shërbimin e avokatëve, ekspertëve dhe psikologut në përballjen gjyqësore të Gardës me familjen e të vrarit para kryeministrisë. Në nëntor të vitit 2018, Garda e Republikës ka paditur ish-drejtuesin Ndrea Prendi dhe efektivin Agim Llupo, duke kërkuar që ata të paguajnë faturën e dëmshpërblimit për 4 viktimat e 21 Janarit. Kolegji Civil tre anëtarësh i Gjykatës së Lartë argumentonte se mosmarrëveshja në këtë rast buron nga marrëdhënia e punës që kanë pasur Garda e Republikës dhe Agim Llupos e si e tillë ishte mos marrëveshje administrative.










































