Ngërçi në KLP, Vatë Staka kandidati i vetëm për zëvendësimin e Antoneta Sevdarit, Bujar Sheshi në gjykatë për çështjen e ish-Sigurimit

0
400

Prokurori i Shkodrës Vatë Saka pritet që të zërë vendin e lënë nga Antoneta Sevdari në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Kjo e fundit u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe më pas Prokuroria e Përgjithshme hapi garën. Por i vetmi që shprehu interes është prokurori Vatë Staka. Në kushtet, kur i vetmi kandidat është i vetuar, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme pritet të thërrasë mbledhjen e prokurorëve, për ta votuar Stakën. Çka do të thotë që automatikisht, prokurori i Shkodrës do të jetë anëtar i Këshillit. E kundërta mund të ndodhë, vetëm nëse dështon mbledhja e prokurorëve, për shkak të mosarritjes së kuorumit. Burimet zyrtare pranë institucionit qendror të akuzës thanë se po diskutohet që mbledhja të zhvillohet me datë 11 prill e për këtë pritet vetëm urdhri i firmosur nga Arta Marku. Këshilli i Lartë i Prokurorisë, përveç mungesës së godinës dhe infrastrukturës, po përballet dhe me shumë probleme të tjera. Disa anëtarë rrezikojnë shkarkimin, ndërsa një tjetër është akuzuar për lidhje me ish-sigurimin e Shtetit. Bëhet fjalë për prokurorin Bujar Sheshi, i cili ka nisur përballjen në gjykatë me Autoritetin për Informimin mbi Dosjet e Sigurimit. Padia në Gjykatën Administrative është bërë nga vetë z.Shehi i cili kërkon “Shfuqizimin e aktit administrativ, Vendim nr. 12, datë 22.01.2019 i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”. Publikimi i këtij vendimi në media solli dhe një debat për mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve në institucionet e reja të drejtësisë. Pas rastit reagoi edhe Prokuroria e Përgjithshme e cila sqaroi se z.Shehi e kishte plotësuar nën përgjegjësinë e tij personale formularin e deklarimit nëse kishte qenë apo jo pjesë e ish sigurimit dhe autoriteti i dosjeve kishte vonuar përgjigjen gjatë kohës që Shehi ishte në garë për KLP. Dokumenti i Autoritetit i publikuar në media shprehet se gjeneralitetet e bashkëpunëtorit të ish-sigurimit në kartelën Model 2, nr. 8023 janë “Bujar Rasim Shesha” i datëlindjes 1957, ndërkohë që gjeneralitetet e prokurorit janë Bujar Ramiz Sheshi, i datëlindjes 15.12.1957. Vendimi i Autoritetit është miratuar me shumicë votash, por këtë vendim anëtari i KLP e ka quajtur shpifje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here