Drejtoria e Pastrimit të Parave nuk i beson Bankës së Shqipërisë, kontrolle të përbashkëta në banka dhe pika të këmbimit valutor, 48 inspektime në 2018

0
497

Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave duket se nuk i beson Bankës së Shqipërisë, sa i përket raportimeve të saj në inspektimet që kjo e fundit bën pranë bankave apo subjekteve të tjera financiare jo banka e zyrat e këmbimit valutor. Banka e Shqipërisë është autoriteti përgjegjës për licencimin, rregullimin dhe mbikëqyrjen e bankave, subjekteve financiare jobanka, shoqërive të kursim – kreditit e unioneve të tyre dhe zyrave të këmbimit valutor që ushtrojnë veprimtari bankare ose veprimtari të tjera financiare në vend. Në këtë kuadër, BSH ka dhe funksionin mbikëqyrës të sistemit financiar. Gjatë vitit 2018, sipas raportit vjetor të këtij institucioni, dorëzuar së fundmi në Kuvend, rezulton se janë zhvilluar ekzaminime të plota dhe të pjesshme në 7 banka, në 10 subjekte financiare jo banka dhe në 31 Zyra të Këmbimit Valutor. Si asnjëherë tjetër, për 5 banka, për 7 subjekte financiare jo banka dhe për 8 Zyra të Këmbimit Valutor, ekzaminimet janë kryer në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe ekzaminimi në një bankë është kryer në bashkëpunim me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare. Në vitin 2017, BSH zhvilluar 14 ekzaminime të plota dhe të pjesshme të subjekteve banka, jobanka, si dhe shoqërive të kursim-kreditit. Të gjitha, pa ndërhyrjen e Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, apo Agjencisë së Mbikëqyrjes Financiare. Objektivi kryesor i ekzaminimeve mbetet përcaktimi i një profili rreziku sa më të plotë për subjektet e licencuara.

 Pavarësia dhe përgjegjshmëria e Bankës së Shqipërisë

Në raport mësohet se BSH po punon dhe për ndryshimin e ligjit që rregullon veprimtarinë e saj. Gjithçka duket se ka të bëjë me kompetencat e Këshillit Mbikëqyrës, të cilat mesa duket nuk i duken të mjaftueshme ato aktuale. “Sa i përket projektligjit për Bankën e Shqipërisë, aktualisht ai është duke u shqyrtuar me ndihmën e drejtpërdrejtë të FMN-së dhe Bd’Italia, duke synuar përafrimin e mëtejshëm me acquis në lidhje me pavarësinë e anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës si dhe llogaridhënien e Bankës. Sidoqoftë, duke pasur parasysh kompleksitetin e këtij ligji, është jetësore të kihet parasysh se për masat e lartpërmendura ka shumë çështje të tjera të ndjeshme që kërkojnë kohën e duhur për t’u miratuar. Rrjedhimisht, afati kohor për miratimin e tij është vlerësuar të jetë fundi i vitit 2019”, thuhet në raportin e BSH. Këshilli Mbikëqyrës është organi më i lartë vendimmarrës dhe mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. Gjatë vitit 2018, Këshilli Mbikëqyrës ka zhvilluar 15 mbledhje, ku ka miratuar 76 vendime. Nga këto vendime, 9 janë vendime mbi politikën monetare dhe normën e interesit. Dhjetë vendime lidhen me rregullimin e funksionimit të sistemit bankar, duke përfshirë miratime ndryshimi pronësie të bankave, licencime për aktivitete financiare dhe ndryshime në kuadrin rregullator sipas të cilit bankat veprojnë. Pesë vendime lidhen me rezervën e bankave të nivelit të dytë në Bankën e Shqipërisë dhe remunerimin e saj, ndërsa dy vendime lidhen me funksionimin e sistemit qendror të shlyerjes së titujve (AFISAR). Tre vendime kanë rregulluar funksionimin e sistemeve të pagesave, atyre elektronike dhe të Komitetit Kombëtar për Sistemet e Pagesave. Dy vendime lidhen me statistikat që prodhon Banka e Shqipërisë dhe 7 vendime të marra kujdesen për emetimin e kartëmonedhave dhe monedhave, përfshirë edhe ato numizmatike. Raportet periodike të botuara nga banka janë miratuar në shtatë vendime. Nga vendimet e marra, 31 rregullojnë funksionimin e brendshëm të institucionit në punën e tij të përditshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here