Ministria e Arsimit zbardh situatën skandaloze në UT: Administrimi në kaos, Mynyr Koni në konflikt me gjithë drejtuesit, ja shkeljet ligjore dhe dëmet financiare

0
386

Debati publik i nisur në fakt prej kohësh por i rikthyer prej pak ditësh sërish në vëmendje të opinionit me akuza dhe kundërakuza mes kryeministrit Edi Rama dhe Rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, ka një të vërtetë të madhe. Ky universitet është në kaos total sa i përket administrimit të brendshëm, në këtë universitet shkelet ligji me të dyja këmbët duke shkaktuar veç të tjerash dhe dëme kolosale financiare. Sakaq, vetë rektori Koni duket se ka përplasje të thella me të gjithë drejtuesit e këtij universiteti. Gjithçka e konfirmon një raport i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, i hartuar vitin e shkuar pas një auditi të ushtruar nga ky dikaster pranë Universitetit të Tiranës. Grupi i punës i përbërë nga Alqi Kushi, Mirela Bimo, Jeton Shehu, Iva Beliu, Bledar Biçoku, i ngritur me Urdhrin Nr.77, datë 16.02.2018 të Ministrit të Arsimit Sportit dhe Rinisë, “Për ngritjen e grupit të punës për kontrollin e pajtueshmërisë së veprimtarisë së Universitetit të Tiranës me aktet ligjore/nënligjore në fuqi”, ushtroi kontroll pranë Universitetit të Tiranës nga data 16.02.2018 deri në 02.03.2018. Grupi i auditimit takoi organet drejtuese dhe autoritetet drejtuese të UT, dhe pas ushtrimit të kontrollit vërejti se në Universitetin e Tiranës konstatohen problematika të administrimit të brendshëm, kryesisht nëpërmjet bllokimit të procedurës së brendshme të protokollimit, delegimit dhe vulosjes së praktikave shkresore, duke sjellë konfuzion në ushtrimin e funksioneve nga të gjitha organet dhe autoritetet drejtuese të UT. Raporti i hartuar nga ky grup auditi i Ministrisë së Arsimit citon se nga procesverbalet e mbledhjeve të organeve kolegjiale, por dhe nga korrespondencat zyrtare midis autoriteteve drejtuese akademike konstatohen mosmarrëveshje të vazhdueshme midis palëve, si për shembull; rektorit me drejtues të njësive kryesore, rektorit me ish kancelarin (administratorin e komanduar). rektorit me administratorin e ri. “Kryesisht ka patur pretendime: për procedurat e punësimit të personelit akademik, mbi kompetencat ndaj personelit administrativ, mbi pezullimin nga detyra të ish Kancelarit, mbi varësinë e strukturave (audit), midis Rektorit dhe Bordit të Administrimit apo Administratorit, në protokollimin e shkresave zyrtare të nxjerra nga autoritetet dhe organet drejtuese të UT dhe përdorimit të vulës/vulave nga organet drejtuese në Rektorat. Gjithashtu konstatohet ushtrim funksionesh dhe kompetencash nga ana e organeve dhe autoritetet drejtuese të UT në kapërcim të kompetencave të dhëna nga kuadri ligjor në fuqi dhe duke shkaktuar shkelje të ligjit dhe dëme financiare”, thuhet në raport.

Mosmiratimi i Statutit dhe Rregullores së brendshme të UT

Me Vendim nr. 3 datë 19 01 2017 të Senatit të UT “Për miratimin e strukturës së grupit të punës për hartimin e Statutit dhe Rregullores së Universitetit të Tiranës” si dhe Urdhrin e Rektorit nr.13, datë 16.02.2)17 “Për miratimin e grupit të punës për hartimin e Statutit dhe “Universitetit të Tiranës”, është ngritur grupi i punës për hartimin e akteve nënligjore në zbatim të ligjit 80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë ”. Grupi i Punës së MASR, ka konstatuar se ende nuk ishte miratuar nga Senati Akademik, Statuti dhe Rregullorja e brendshme e IAL-së, gjë e cila është e provuar pasi mungon vendimi i miratimit nga Senati Akademik i UT. Statuti dhe Rregullorja e brendshme e UT duhet të kishin përfunduar dhe të ishin miratuar nga Senati Akademik brenda vitit të parë akademik nga hyrja në fuqi e ligjit në zbatim të nenit 132 të Ligjit 80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”.

Parregullsi në vendimet e organeve kolegjiale

Ministria e Arsimit ka konstatuar gjithashtu parregullsi në lidhje me vendimet e organeve kolegjiale dhe nënshkrimin e procesverbaleve të mbledhjeve të të dy organeve kolegjiale, si më poshtë: Vendimet‘e Senatit dhe të Rektoratit nuk janë protokolluar në institucion. Procesverbali i mbledhjes së Rektoratit me nr. 4, datë 08.03.2017 dhe procesverbali nr.2, datë 17.03.2107 i mbledhjes së Senatit nuk janë nënshkruar nga Kryetari, procesverbali nr. 3, datë 26.04.2017 i Senatit është firmosur për sekretarinë nga një person që nuk është sekretar (D. Panariti), ndërkohë që neni 3 i ligjit Nr. 8480, datë 27.05.1999 “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike”, parashikon dy anëtarët e organit kolegjial për zëvendësimin e përkohshëm në rast të mungesës së kryetarit apo sekretarit. Gjithashtu nga drejtues të njësive kryesore është kërkuar që mbledhjet të zhvillohen, periodikisht, mundësisht çdo javë për çështje të administrimit dhe funksionimit normal të institucionit. Me shkresën nr. 401. datë 13.04.2017, me lëndë “Kërkesë për mbledhje të rektoratit”, Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, drejtuar anëtarëve të Rektoratit, shprehet se “në një nga mbledhjet e rektoratit kemi marrë vendim të mblidhemi njëherë në javë, por ka kaluar mbi një muaj që nuk jemi mbledhur nga mbledhja e fundit e drejtuar nga zv/rektori megjithëse kemi çështje mjaft të rëndësishme për të diskutuar (projektbuxheti, tarifat e shkollimit, procesi akreditimit, si dhe çështje të tjera).

Veprime dhe mosveprime të rektorit

Raporti i Ministrisë së Arsimit thotë gjithashtu se Rektori i UT ka miratuar me urdhrin nr. 37, datë 28.12.2017 të Rektorit “Për miratimin e dy rregulloreve në zbatim të ligjit nr. 60/2016 “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, me shkresë nr. 63/1, datë 24.1.2018 të Dekanit të Fakultetit të Drejtësisë, drejtuar anëtarëve të Rektoratit, Dekani i konsideron këto akte absolutisht të pavlefshëm. Ministria e Arsimit ka konstatuar se në b zë të shkronjës “d”, të nenit 38, të ligjit nr. 80/2015, miratimi i rregulloreve të institucionit është kompetencë e organit kolegjial drejtues, Senatit Akademik, ndaj urdhrat e rektorit bien ndesh me ketë nen. Në lidhje me këto urdhra të Rektorit të UT, Ministria e Arsimit ka konstatuar se ky i fundit gjendet në kushtet e kapërcimit të kompetencave, duke marrë dhe ushtruar funksionet e Senatit Akademik. Neni 38 i ligjit nr. 80 2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”, ngarkon Senatin Akademik me funksionet e miratimit të rregulloreve të brendshme të IAL-së.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here