Google search engine

    Zbardhet marrëveshja, KQZ dhe prokuroria grup pune për të luftuar blerjen e votave, përshpejtohen procedurat e dekriminalizimit

    0
    416

    Teksa Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë paralajmëruar se do të braktisin zgjedhjet vendore, institucionet shtetërore janë angazhuar për një proces normal në 30 qershor. Kreu i KQZ Klement Zguri dhe kryeprokurorja Arta Marku arritën një marrëveshje mes tyre. Gazeta ka siguruar detajet e këtij pakti, ku bihet dakord për të luftuar fenomenin e manipulimit të zgjedhjeve. KQZ dhe prokuroria kanë dalë në përfundime konkrete, jo vetëm me detyrat që do të ketë secili institucion por edhe me të përbashkëtat mes tyre. KQZ do të ketë si detyrim të bashkëpunojë me prokurorinë në çdo rast që do të vërë re që subjektet zgjedhore përdorin para të pista për fushat. Një tjetër detyrim do të jetë edhe disponimi i dokumentacioneve që kanë shkelur subjektet zgjedhore. “Kur bën kallëzim penal për veprat penale në lidhje me zgjedhjet, veçanërisht për raste të konstatuara apo të denoncuara për korrupsionin në zgjedhje dhe përdorimin e parave të paligjshme gjatë fushatave zgjedhore nga subjektet zgjedhore, të bashkëpunojë me prokurorinë në hetimin e shpejtë dhe objektiv të çështjes. KQZ vë në dispozicion të prokurorit të paktën informacionin dhe dokumentacionin që mund të disponojë lidhur me, gjeneralitetet dhe çdo gjë tjetër që vlen për identifikimin e personit/subjektit zgjedhor të cilit i atribuohet fakti; identifikimin e zonës elektorale/qendrës së votimit ku dyshohet se është kryer vepra; datën në të cilën dyshohet së është kryer vepra; elementet thelbësore të faktit dhe veprën penale të dyshuar se është shkelur”, thyhet në marrëveshje. Po ashtu nga ana e prokurorisë do të jetë si detyrim të bashkëpunojë me KQZ për të zhvilluar fushata edukuese si dhe të eliminojnë praktikat negative që prekin zgjedhjet e lira dhe të ndershme. “Të mbështesë dhe bashkëpunojë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zhvillimin e fushatave sensibilizuese/edukuese si dhe sesioneve trajnuese për eliminimin e praktikave negative e identifikimin e shkeljeve penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve”, thuhet në marrëveshje.

    Përshpejtohen procedurat e dekriminalizimit

    Në marrëveshjen mes kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri dhe kryeprokurores Arta Marku është rënë dakord edhe për përshpejtimin e procedurave të formularëve të dekriminalizimit. Në marrëveshjen e firmosur prej tyre është dakordësuar që formulari i vetëdeklarimit në KQZ të dorëzohet në kohën e duhur në mënyrë që të bëhet një hetim më i thelluar. “Të dërgojë brenda afateve formularët e vetëdeklarimit dhe relacionin apo dokumentacionin shoqërues, nëse ka, për verifikim të thelluar, në zbatim të ligjit nr 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike””, thuhet në marrëveshje. Po ashtu edhe prokuroria do të dërgojë çdo informacion të mundshëm që ka për çdo kandidat që dorëzon formularin e dekriminalizimit. “T’i dërgojë KQZ informacion statistikor për vepra penale që kanë lidhje me zgjedhjet, të nevojshme për analizat paszgjedhore për hartimin e planit të masave për parandalimin e tyre në të ardhmen”, thuhet në marrëveshje./Elisjeda KIKO

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here