Ligjet e prapambetura të paketës së reformës në drejtësi miratohen brenda prillit, PS konsultohet me ekspertët e Euralius

0
371

Miratimi i të gjitha ligjeve të prapambetura të paketës së reformës në drejtësi pritet të mbyllet brenda datës 18 prill. Ditën e djeshme në Kuvend u zhvillua një tryezë konsultimi për projektligjin “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat” dhe për projektligjin “Për policinë gjyqësore”. Këto janë dy ndër ndër tre projektligjet e fundit të paketës së dytë të 27 ligjeve të reformës në drejtësi, të cilët kanë mbetur pa u miratuar në Parlament. Projektligji i tretë ende në pritje është “Për strategjinë e edukimit ligjor”. Me miratimin e të 3 projektligjeve do të përmbyllet miratimi i plotë i paketës së reformës në drejtësi. I pranishëm në tryezën e diskutimit, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja theksoi se përmes konsultimeve do të arrihet që ligji të jetë sa më i plotë. Ajo që ra në sy gjatë aktivitetit ishte edhe prezenca e ekspertëve të Euralius, të cilët kanë dhënë një kontribut të madh ne hartimin e ligjeve.

“Kjo është tryeza e dytë që realizohet në këtë drejtim. Ky draftligj, së bashku me draftligjin për Policinë Gjyqësore përmbyllin paketën e dytë ligjore dhe të fundit të Reformës në Drejtësi të ndërmarrë këtu e pesë vite më parë me rreth 40 nisma ligjore”, tha Manja. Sipas tij, ndryshimet në projektligjin “Për shërbimin përmbarimor privat” janë thelbësore për të rritur efikasitetin e këtij shërbimi. “Analiza e realizuar për efikasitetin e sistemit të drejtësisë evidentoi një sërë problematikash. Kishte zgjatje për ekzekutimin e titujve të pronësisë. Vonesa dhe mungesë transparence në procedura. Licencimi i përmbaruesve ishte një tjetër pjesë që u gjet me probleme. Pra, ky draftligjor vjen në ndihmë të shpejtësisë, transparencës, rekrutimit të punonjësve me edukim të shëndoshë juridik, miratimi i një kuadri rregullatorë të procedurës së këtij shërbimi”, deklaroi ai. Ndërsa kryetari i Dhomës së Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, Tedi Malaveci, u shpreh se drafti ka nevojë për përmirësime. “Drafti ka nevojë për rikonceptim. Prandaj ne, duke respektuar Kuvendin dhe procedurat e tij ligjore, që përfundojnë më 18 prill, kur dhe ky draft është parashikuar të paraqitet në seancë plenare, propozojmë t’i futemi punës për të përmirësuar këtë bazë ligjore”, tha Malaveci. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here