PD-LSI forcojnë skenarët ruso-serbë, plan për të rrethuar natën Kryeministrinë, e njëjta metodë si në Beograd

    0
    387

    Skenarët serbo-rusë në Tiranë për të destabilizuar vendin po shtohen dita-ditës. Në datën 13 prill Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të protestojnë sërish para godinës së Kryeministrisë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Data për protestën e radhës të madhe u bë me dije ditën e shtunë, kur PD mblodhi Kolegjin e Kryetarëve, ndërsa dje kanë dalë në dritë detaje të reja. Ditën e djeshme Partia Demokratike mblodhi ish-grupin parlamentar dhe Kryesinë e partisë për të diskutuar rreth organizimit të ardhshëm. Sipas burimeve të gazetës, demokratët kanë vendosur që tubimi i datës 13 prill, ndryshe nga herët e tjera do të mbahet në orën 18:00 të pasdites. Zakonisht opozita i ka organizuar protestat e mëdha para godinës qeveritare ditën e shtunë në orën 11:00 të paradites. Por këtë herë opozitarët kanë ndryshuar strategji dhe duket se do të reagojnë ndryshe përballë mazhorancës. Sipas informacioneve, plani i tyre është që qytetarët të mblidhen në orën 18:00 tek Kryeministria dhe të qëndrojnë aty gjatë gjithë natës. Në këtë mënyrë, ata do të tentojnë ta rrethojnë selinë qeveritare dhe do të përpiqen të vështirësojnë punën e forcave të policisë në garantimin e sigurisë publike.

    Ngjashmëria

    Por kjo strategji e opozitës ka një ngjashmëri të frikshme me opozitën serbe. Prej muajsh në Beograd opozita ka nisur bojkotin parlamentar dhe ka protestuar me dhjetra herë ndaj presidentit Aleksandar Vuçiç. Por thuajse në çdo protestë ata kanë ndjekur të njëjtën strategji siç po planifikon opozita shqiptare. Nëse iu hedhim një sy të gjitha tubimeve të opozitës serbe, vihet re se ata gjithmonë protestojnë në orët e natës. Siç duket, PD-LSI pasi iu kopjuan serbëve strategjinë e marshimit në rrugët e kryeqytetit, tani do t’i kopjojnë edhe strategjinë e protestave gjatë natës. Rasti më i freskët i protestave të Serbisë në orët e natës është ai i fundjavës. Tani ky skenar do të përvetësohet edhe nga opozita jonë. Por sikurse e kemi theksuar edhe më herët, dyshimet janë se pas protestës opozitare në Serbi fshihen rusët, duke qenë se Aleksandar Vuçiç i ka kthyer sytë nga SHBA. Dyshimet janë se pas skenarëve të tubimeve serbe fshihet Rusia, ndërsa fakti që edhe opozita jonë po ndjek të njëjtën rrugë si Serbia të çon në përfundimin se edhe pas PD-LSI qëndron Moska. Tashmë mbetet të pritet protesta e datës 13 prill për të parë se çfarë do të ndodhë me organizimet e opozitës. Por duhet theksuar se edhe në dy protestat e fundit të mbajtura nga PD-LSI, është ndjekur metoda serbo-ruse. Si në protestën e 16 marsit tek Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, ashtu edhe tek tubimi i fundit tek Parlamenti protestuesit marshuan në rrugët e Tiranës, njësoj siç bëjnë serbët në vendin e tyre.

    Detajet e tjera

    Në fokus të takimit të djeshëm që Lulzim Basha pati me vartësit e tij kanë qenë edhe intensifikimi i takimeve me qytetarët para protestave dhe zgjedhjet e parakohshme. Mësohet se Basha ka kërkuar angazhim maksimal nga ish- deputetët në qarqet e tyre jo vetëm për protestën e së enjtes përpara Parlamentit, por edhe atë kombëtare në 13 prill. Kryedemokrati ka kërkuar që ish-deputetët që të jenë më aktivë e të mos rrinë në kafene ditën e protestave por të dalin në ballë të saj. Porosia e radhës ka qenë intensifikimi i takimeve me qytetarët dhe pjesëmarrje masive në tubimet e opozitës. Krahas organizimit të protestave Basha ka kërkuar që të gjitha strukturat të jenë gati për zgjedhje të parakohshme dhe të njohin qytetarët me programin ekonomik të Partisë Demokratike.

    Mimoza Ibra

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here