Më 5 shkurt u shpall konfirmimi në detyrë i prokurores Donika Prela si dhe u njoftua se vendimi me shkrim do të komunikohej brenda 30 ditëve. Afati maksimal i zbardhjes, pa llogaritur ditën e njoftimit të vendimit është plotësuar të enjten më 21 mars, por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk e ka zbardhur ende atë në faqen e vet zyrtare. Afati 30-ditor për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit është detyrim ligjor, që buron nga pika 7 e nenit 55 të ligjit “Për rivlerësimin kalimtar”.
Donika Prela drejton Prokurorinë e Krimeve të Rënda prej majit të vitit 2018 si e komanduar nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku. Prela është gjithashtu kandidate për Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur ndryshe si SPAK. Konfirmimi i Prelës kaloi përmes një sërë akuzash publike, kryesisht nga Partia Demokratike, e cila e akuzoi atë si të njëanshme.
Akuzat publike të deputetit të PD-së, Enkelejd Alibeaj, e detyruan KPK-në që ta shtynte njoftimin e vendimit nga data 29 janar më 5 shkurt. Prela po ashtu pati një seancë dëgjimore jo të lehtë. Ajo u përball me pikëpyetje mbi të ardhurat e bashkëshortit dhe transaksionet me pasuritë e paluajtshme në seancën dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit më 22 janar. Prela u mbrojt, duke dorëzuar në Komision dokumente shtesë mbi të ardhurat familjare.