PD-LSI vijojnë me të njëjtën strategji, më 13 prill protestohet para Kryeministrisë, do vazhdojnë tubimet para Parlamentit

0
444

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të vijojnë të përdorin të njëjtën strategji në përballjen e tyre me qeverinë. Ashtu sikurse gazeta e paralajmëroi dy ditë më parë se partitë opozitare nuk kanë asnjë skenar të mirëfilltë për të vijuar betejën e tyre politike, ditën e djeshme Kolegji i Kryetarëve të PD vendosi që të vazhdohet vetëm me protesta. Vendimi i mbledhjes së djeshme ishte që protesta e radhës e madhe do të mbahet në datën 13 prill para Kryeministrisë, ndërsa do të vijohet edhe me tubimet para Parlamentit sa herë të ketë seanca plenare. Pra, në planin e opozitës për të rrëzuar qeverinë nuk ka asgjë të re. Duhet theksuar fakti se deri tani plani i tyre i protestave nuk ka rezultuar i dobishëm sepse nuk kanë dhënë asnjë rezultat, vetëm sa është shkaktuar rrëmujë kot. Sakaq, në lidhje me ecurinë e mëtejshme të betejës së opozitës me qeverinë foli dje edhe kreu i PD, Lulzim Basha për të përditshmen italiane “Il fatto quotidiano”. Basha u shpreh se beteja e opozitës po bëhet për drejtësi dhe për qytetarët. “Kemi të bëjmë me një pakënaqësi e mjerim masiv, i cili po mishërohet jo vetëm në protesta e revolta masive, por edhe në një fluks masiv emigrimi. Vetëm gjatë viteve të kësaj qeverisjeje, thuajse 200 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil politik në njërin nga vendet anëtare të BE-së. Para ardhjes së Ramës në pushtet, ky numër ishte më pak se 50 mijë dhe fenomeni i azilkërkimit thuajse po zhdukej. Kjo e jona nuk është një betejë për pushtet. Po luftojmë që të ketë drejtësi dhe një qeveri për qytetarët. Në këtë betejë besojmë se kemi edhe mbështetjen e shumicës dhe sondazhet e konfirmojnë këtë”, tha Basha. Lideri demokrat kërkoi që politikanët e inkriminuar të përballen me drejtësinë. “Nën qeverisjen e tij, Shqipëria u shndërrua në një parajsë për trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave të pista. Paraja e nxjerrë nga trafiku është përdorur si në aktivitete ekonomike, ashtu edhe në politikë. Fitimet e trafikut të drogës u ricikluan për të kushtëzuar politikën si dhe për të blerë zgjedhjet e 2017-s. Duam që politikanët e lidhur me krimin dhe narkotrafikun, si dhe ata që janë përfshirë në shitblerjen e votave, të vendosen përpara drejtësisë”, tha Lulzim Basha.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here