Tatimet thirrje biznesit: Ja si mund t’i paguani në e-Filing detyrimet me këste, 3 hapat që duhen ndjekur

0
448

Çdokush që ndodhet në vështirësi financiare dhe nuk arrin të paguajë njëherësh detyrimet që ka ndaj tatimeve, mund ta bëjë me këste. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi ditën e djeshme të gjithë tatimpaguesit, të cilët kanë nënshkruar me organin tatimor, një Marrëveshje të Pagesës me Këste se mund ta ndjekin në kohë reale nëpërmjet modulit e-Filing. Tatimet bëjnë me dije se në llogarinë individuale të tatimpaguesit, në menynë “Kontabilitet” shfaqet menjëherë plani i pagesës, nga ku mund të gjenerohet “Urdhër Pagesa” e dedikuar vetëm për këtë plan. Pagesa do të mbulojë vetëm periudhën/periudhat e përcaktuara në këstin e radhës. Në rastet e marrëveshjeve për pagesë me këste, tatimpaguesi paguan kamatëvonesat, ndërsa nuk llogaritet gjobë për pagesë të vonuar. Administrata Tatimore gjithashtu sjell në vëmendje të tatimpaguesve që përkohësisht gjenden në situatë të vështirë financiare, se ligji nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në RSH” i ndryshuar, neni 77, ju jep të drejtën për të paguar me këste një detyrim tatimor të papaguar. Marrëveshja për pagesë me këste nuk mund të lidhet për detyrimin tatimor të vetëdeklaruar nga tatimpaguesi, i cili është llogaritur, ose mbledhur, ose mbajtur prej tij, përfshirë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Tatime të një natyre të tillë, por pa u kufizuar vetëm në to, përmenden: Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, Tatimi në Burim, kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore, ndonjë lloj takse e cila llogaritet, mblidhet e mbahet nga tatimpaguesi.

Hapat e marrëveshjes

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton gjithashtu se hapat që duhen të ndiqen për të nënshkruar një marrëveshje të pagesës me këste janë 3. Kështu, fillimisht bëhet një kërkesë me shkrim drejtuar Drejtorisë Rajonale Tatimore nën juridiksionin e të cilës është regjistruar. (Aty duhen shpjeguar rrethanat dhe arsyet pse kërkohet të lidhet një marrëveshje për të paguar me këste detyrimet tatimore.) Më pas, Drejtoria Rajonale Tatimore brenda 10 ditëve njofton nëse kërkesa pranohet apo refuzohet. Hapi i tretë ka të bëjë me fazën, kur nëse kërkesa pranohet, nënshkruhet marrëveshja për pagesë me këste të detyrimeve tatimore të papaguara. Kjo marrëveshje nënshkruhet nga tatimpaguesi dhe nga drejtori i drejtorisë rajonale të tatimeve ose drejtuesi i njësisë së ngjashme me të, vetëm nëse tatimpaguesi paguan menjëherë 20% të vlerës së detyrimit, për të cilin lidhet marrëveshja e pagesës me këste. Administrata Tatimore thekson se në këtë rast ndërpret masat e mbledhjes me forcë, të mbledhjes së detyrimeve tatimore, por ajo nuk tërheq masën e vendosur për të siguruar pagesën e detyrimit tatimor. Nënshkrimi i një marrëveshje për pagesën me këste të një detyrimi tatimor, nuk ndërpret llogaritjen e kamatëvonesave për mospagim në afat të detyrimit tatimor të mbetur pa paguar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here