Google search engine
Home Aktualitet Rreziku nga shkrirja alarmon PD-LSI, nisin sulmet ndaj OSBE, Borchardt akuza se...

Rreziku nga shkrirja alarmon PD-LSI, nisin sulmet ndaj OSBE, Borchardt akuza se po krijojnë precedent të rrezikshëm për rajonin

0
382

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë filluar ta kuptojnë se djegia e mandateve mund të jetë fatale për to. Përveç humbjes së mandateve, Basha dhe Kryemadhi po humbasin nga dita në ditë edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve. Kjo duket se i ka vënë në alarm këto dy parti dhe liderët e saj, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian dhe OSBE nuk duan zgjedhje të parakohshme. Por një gjë e tillë, sjell shkrirjen e LSI dhe rrudhjen e PD. Për këtë arsye ditën e djeshme ka plasur një sherr i ashpër mes OSBE-së dhe Partisë Demokratike e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Fillimisht, ka qenë kreu i Prezencës së OSBE në Shqipëri, Bernard Borchardt, i cili hodhi akuza ndaj PD-së dhe LSI-së, duke folur në prezantimin e programit master në fushën e kriminalistikës, Borchardt e ka quajtur vendimin e tyre për të djegur mandatet dhe të bojkotuar Parlamentin si të paprecedent dhe të rrezikshëm për rajonin. “Për shumë kohë, Shqipëria ka qenë shtyllë e stabilitetit në rajon. Tani, shohim një veprim në parlament, i cili nuk ka precedentë. Është kritikuar nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar. Një nga arsyet është sepse ndez fitilin që i vë flakën sistemit të demokracisë parlamentare. Kësaj radhe, politikanët pas dy vitesh patën idenë të digjnin mandatet e tyre. Radhës tjetër, ata mund të gjejnë argumente për ta bërë këtë pas tetë muajsh, dhjetë muajsh apo një viti. Ky do të ishte, gjithashtu, edhe një shembull shumë i keq për të tërë rajonin. Ju e dini që në disa shtete ka opozita që bojkotojnë parlamentin. Një gjë e tillë nuk mund të funksionojë. Ky nuk është thelbi i demokracisë parlamentare”, deklaroi ai. Në të njëjtën kohë, Borchardt i bëri thirrje opozitës që të mos bojkotojë zgjedhjet vendore. “Ne u kemi bërë thirrje të gjitha partive të marrin pjesë në zgjedhjet vendore, gjë që është një proces normal në një sistem demokratik. Ne, pikësëpari, i shkurajojmë bojkotet e zgjedhjeve”, nënvizoi Borchardt.

PD dhe LSI akuza Borchardt

Menjëherë pas deklaratave të kreut të OSBE, Bernard Borchardt, dje kanë reaguar edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi dhe he anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, të cilët i janë përgjigjur thirrjes së Prezencës së OSBE-së për zgjedhjet lokale, duke shprehur bindjen se ky proces është thjesht kalimtar në kushtet e shitblerjes së votës nga bandat e krimit. Madje, ata nuk kanë ngurruar që ta sulmojnë dhe akuzojnë fort zotin Borchardt. E para ka qenë Kryemadhi, e cila pas një takimi me qytetarët e Shkodrës, u shpreh se nuk mund të ketë garë pa garantuar më parë zgjedhjet e lira e të ndershme. “Nuk mund të kesh zgjedhje vendore kur ka një deformim dhe shitblerje të votës përmes grupeve kriminale dhe parave të grupeve kriminale. Zgjedhjet nuk janë gjë tjetër veçse çështje teknike shumë kalimtare. Nëse ne nuk do kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme do të jetë totalisht e pamundur”, deklaroi Kryemadhi. Ndërkohë lidhur me këtë deklaratë e Borchardt reagoi edhe anëtari i ish-deputeti i PD, Oerd Bylykbashi. Ai shprehu të njëjtën qëndrim me kryetaren e LSI, duke sulmuar kreun e OSBE, ndërsa i kujtoi këtij të fundit se të fitosh zgjedhjet me bandat e kriminelëve sikundër ndodh në Shqipëri dhe 19 prej tyre t’i bësh deputetë, sipas tij, është shembull i keq për rajonin. “Të fitosh zgjedhjet me bandat e kriminelëve dhe 19 prej tyre t’i bësh deputetë, më pas kriminelët përdhunues vrasës e trafikantë t’i bësh kryetarë bashkish që të kontrollojnë territorin dhe zgjedhjet, ky është shembull i keq për rajonin. Të mbjellësh me drogë të gjithë Shqipërinë, të përmbytesh me drogë Europën, të shndërrosh vendin në lavatriçe të parasë së drogës, ky është shembull i keq për rajonin”, deklaroi Bylykbashi.

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here