Google search engine
Home Sociale Qeveria nis diskutimin me shoqatat për ligjin e ri: Trajtim financiar suplementar...

Qeveria nis diskutimin me shoqatat për ligjin e ri: Trajtim financiar suplementar për minatorët e naftëtarët, përfitojnë 25 mijë persona

0
705

Qeveria dhe mazhoranca qeverisëse ka nisur diskutimet me shoqatat për hartimin e një ligji të ri për naftëtarët, minatorët dhe metalurgët. Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku, kreu i grupit të PS, Taulant Balla dhe ministrja e Shtetit për Parlamentin Elisa Spiropali, kanë zhvilluar një diskutim me Federatën e Sindikatave të Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë, me qëllim rritjen e mbështetjes për minatorët, metalurgët dhe naftëtarët. Ashtu siç gazeta e deklaroi pak ditë më parë se po hartohet një ligj që rrit mbështetjen financiare për këtë kategori, një gjë e tillë është konfirmuar dhe nga deputeti Taulant balla. Ai ka dhënë detaje dhe mbi përmbajtjen e ligjit. “Për t’i qëndruar strikt fjalës së dhënë kemi përpara një projekt, i cili vendos trajtimin financiar suplementar për profesionet e vështira dhe shumë të vështira, madje të minatorëve, të punonjësve të naftës e të gazit dhe metalurgëve. Ky projektligj është trajtim financiar shtesë mbi atë që ata kanë fituar deri më tani dhe dua ta them që kjo nuk është një status për këto profesione, pasi statuset janë të një spektri më të gjerë, që lidhen me përfitimin financiar që lidhen në moshë pensioni, por është një trajtim financiar suplementar”, tha ai.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste deklaroi se përfshirja në këtë ligj, për këto tre profesione të sipërcituara është bërë për shkak të ngjashmërisë që kanë këto në lidhje me vështirësinë e punës. “Brenda këtij parimi, është bërë dallimi mbi dy nivele: mbi punë të vështira dhe shumë të vështira, dhe nuk është rasti i parë që ky projektligj hartohet për disa kategori të ndryshme pune, por me karakteristika tërësisht të ngjashme dhe që adresojnë problematikë të njëjtë. Mund të sjellim si shembull përfitimet suplementare tek ushtarakët, punonjësit e policisë, punonjësit e shërbimit të Informacionit Kombëtar, policisë së burgjeve, Gardës së Republikës, zjarrfikëset etj”, tha ai. Balla nënvizoi se ky projektligj u jep pension para kohe deri në 10 vjet para moshës normale të daljes në pension. “Këtyre tre profesioneve u jep shtesë për gjithë pensionet aktuale dhe ata që do dalin në periudhën afatshkurtër, kjo shtesë mbi pension nuk është financuar nga kontributet e paguara, por është një privilegj i pastër që u bëhet këtyre kategorive, financuar nga buxheti i shtetit”, tha ai. Sipas Ballës, Për minatorët përllogariten 16 mijë përfitues në vlerën e 500 milionë lekëve të reja në vit. Naftëtarët, 17 mijë përfitues, e vlera shkon në 750 milionë lekë në vit, për metalurgët 2.500 përfitues në vlerën e 250 milionë lekëve në vit. Pra në total, trajtimi i ri financiar kalon nëpërmjet këtij projektligji, i cili e merr urdhrin e diskutimit që nga sot dhe do të vijojë midis një procesi konsultash. Nga ky projektligj përfitojnë 25 mijë punonjës të këtyre tri kategorive dhe vlera shkon në 50 milionë dollarë në vit nga angazhimi i buxhetit të shtetit përkundrejt këtyre tre profesioneve”, ka përfunduar Balla.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here