Kryetari i Gjykatës së Përmetit, Pashk Gjaci rrezikon t’iu bashkohet kryegjyqtarëve të tjerë të shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Gjaci doli dje në seancë dëgjimore në KPK, ndërsa trupa gjykuese u shpreh se për të ishin konstatuar probleme në të 3 kriteret. Lidhur me pasurinë, relatorja Valbona Sanxhaktari u shpreh se Pashk Gjaci zotëron një ndërtesës në Fan të Mirditës, por për të nuk është pasqyruar burimi i të ardhurave. Në emër të tij është edhe një ndërtesë tjetër po në Mirditë, por edhe për të janë konstatuar probleme në deklarime. Hetimi i thelluar i KPK ka evidentuar si pronë të gjyqtarit edhe një sipërfaqe toke në Laç. Komisioni ka konkluduar se gjyqtari Gjaci nuk ka paraqitur dokumentacion për burime të ligjshme të babait, që është deklaruar si kontribuues në 50% të kësaj pasurie.
Kryegjyqtari i Përmetit zotëron edhe një banesë 3-katëshe në Laç, por edhe për të KPK ka evidentuar pasaktësi në deklarime. Edhe toka-arë në Velipojë ishte me probleme sepse gjyqtari ka deklaruar se ia ka kaluar gjysmën vëllait të tij, por nga hetimet e KPK nuk ka rezultuar diçka e tillë. Sipas trupës gjykuese, veprimet për ndarjen e tokës kanë qenë fiktivë. Një tjetër pronë që rezulton që gjyqtari Gjaci ta ketë pasqyruar vetëm në deklaratën veting është një ngastër tokë-arë në Fan, e deklaruar si e trashëguar. Mirëpo problemet me pasurinë nuk ishin të vetmet për Pashk Gjacin. DSIK kishte sjellë një raport negativ për figurën e tij sepse ndaj tij është regjistruar një procedim penal për shpërdorim detyre nga Prokuroria e Gjirokastrës. Ndërkohë, Komisioni ka kryer hetim edhe për një vendim gjyqësor në Përmet që nuk ishte publikuar në faqen elektronike të Gjykatës së Përmetit, që më pas është gjetur i publikuar nga Gjykata e Gjirokastrës.
Sipas KPK vendimi i vitit 2017 për të cilin është kryer kallëzimi penal ndaj gjyqtarit kishte të bënte me një çështje për prodhimin dhe shitjen e narkotikëve. Komisioni ka konstatuar si problematike mospublikimin e këtij vendimi. Edhe për profesionalizmin, KPK evidentoi mangësi procedurale. Pranë KPK janë regjistruar 3 denoncime ndaj Pashk Gjacit. Një prej denoncimeve me objekt kundërshtimin e vendimit të dhënë nga gjyqtari Gjaci në vitin 2013 që është rrëzuar nga Apeli që ka konsideruar se subjekti rivlerësimit kishte cenuar procedurat dhe pa anësinë e procesit.































