Këshilli i Lartë i Prokurorisë iu ka dhënë një rol të rëndësishëm ndërkombëtarëve në përzgjedhjen e anëtarëve prokurorë të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Pas përfundimit të afatit të aplikimeve dhe regjistrimit të 27 kandidatëve për SPAK, KLP mori përsipër të hartonte një rregullore mbi bazën e të cilës do të kryhet një hetim i thelluar për aftësitë etiko-profesionale dhe do të vendoset se cili prej garuesve meriton të emërohet anëtar. Një pjesë e kësaj rregulloreje është zbardhur nga mediat, ku bie në sy se në procesin e përzgjedhjes së 15 anëtarëve të SPAK do të marrin pjesë edhe ekspertët e SHBA-BE. Gazeta e ka deklaruar më herët se anëtarët e KLP konsultohen me ekspertët e misioneve Euralius dhe Opdat për çdo vendimmarrje të rëndësishme dhe ky është një nga ato raste. Në rregulloren e hartuar nga KLP thuhet se monitoruesit ndërkombëtarë kanë të drejtë t’iu drejtojnë pyetje kandidatëve për SPAK dhe të marrin pjesë në çdo fazë të vlerësimit të tyre. Kjo do të thotë se ekspertët e SHBA-BE do të jenë aktivë në zgjedhjen e anëtarëve, ku veçanërisht amerikanët do të kalojnë në filtër të gjithë kandidatët. Ata do tu bëjnë pyetje rreth dosjeve të hetuara prej tyre, aftësive profesionale dhe etikës në punë. Një çështje me mjaft interes për ndërkombëtarët është të dinë sesi kandidatët prokurorë kanë hetuar “çështjet e ndërlikuara”. Këto janë dosjet ku subjekt i hetimit janë funksionarët e lartë publikë, veprimet e të cilëve kanë sjellë pasoja të rënda për pasurinë, jetën dhe shëndetin e shtetasve, apo sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të tyre. Duke qenë se SPAK ka në fokus të hetimeve pushtetarët e korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar, SHBA po bën çmos që pranë kësaj strukture të emërohen prokurorë të aftë për goditjen e këtyre dy fenomeneve në nivelet më të larta. Për këtë qëllim ndërkombëtarët po investohen shumë në procesin e përzgjedhjes së tyre, duke parë me imtësi çdo detaj të dosjes së tyre dhe mënyrën sesi i kanë hetuar këta zyrtarë.
Detajet e rregullores
Në projekt-rregulloren e KLP, që pritet të miratohet gjatë sot, përmendet se do të shikohet me vëmendje edhe teknika e posaçme e hetimit, veçanërisht për hetimin e rasteve të korrupsionit në Shqipëri. Me imtësi do të shihen edhe vendimet e dhëna për rastet për kontroll banese, sigurim të provave përmes letër-porosive jashtë Shqipërisë, apo përdorimi i provave mjekoligjore të ADN-së. Një tjetër pikë që do të kalojë në sitë do të jetë edhe mënyra sesi prokurorët kanë marrë bashkëpunëtorë drejtësie apo kanë kryer përgjime elektronike gjatë hetimit të krimit të organizuar. Sikurse e kemi theksuar më herët, për secilin kandidat do të shqyrtohen 5 dosje, por para se të nisë hetimi i tyre do të shihet nëse garuesit i plotësojnë kushtet minimale. Në rast se jo, atëherë automatikisht ai përjashtohet nga gara e më pas vijohet me shqyrtimin e dosjeve të emrave që janë ende në lojë. Në fund, secili prej kandidatëve do të vlerësohet me pikë si më poshtë: 5 pikë për kandidatët që janë vlerësuar shumë mirë në dy vlerësimet e fundit të performancës, 4 pikë për kandidatët që janë vlerësuar shumë mirë dhe mirë në dy vlerësimet e fundit të performancës, 3 pikë për kandidatët që janë vlerësuar mirë në dy vlerësimet e fundit të performancës, 2 pikë për kandidatët që janë vlerësuar mirë dhe mjaftueshëm në dy vlerësimet e fundit të performancës dhe një pikë për ata që janë vlerësuar mjaftueshëm në dy vlerësimet e fundit të performancës. Nëse gjatë vlerësimit do të ketë pikë të barabarta, atëherë do të fitojë prokurori që ka më tepër vjetërsi në detyrë. Kandidatët do të kalojnë edhe një intervistë ballë për ballë, që do të zgjasë 10 minuta.
Mimoza Ibra