Çështja e pagesave për lobistët amerikanë, të cilët ndihmonin Partinë Demokratike gjatë protestës në çadër, në vitin 2017, pritet të rihapet për shkak se ka zhvillime të reja. Tashmë Prokuroria, për llogari të këtij hetimi ka administruar në dosje dy letërporosi të ardhura nga SHBA dhe Skocia. Këtë çështje është duke e ndjekur gazetari Muhamed Veliu, i cili jep detaje për Top Channel.
TCH: Cilat janë zhvillimet më të fundit?
Muhamed Veliu: Pas ardhjes së dy letërporosive, një nga SHBA dhe një tjetër nga Skocia, duket se prokurorët, që janë duke hetuar lobimin në shumën prej 675 mijë dolllarësh nga PD në SHBA, e kanë rihapur këtë çështje. Mësohet se do të rimerret në pyetje ish-Sekretari i Përgjithshëm demokrat, Arben Ristani, në adresën e të cilit ka mbërritur fletëthirrja për t’u paraqitur në Prokurorinë e Tiranës më 21 mars. Do të rimerret në pyetje edhe financieri i Partisë Demokratike, Ilir Dervishi. Në mënyrë jozyrtare, Top Channel ka mësuar nga burime pranë Prokurorisë së Tiranës se, në javët në vijim pritet të merret në pyetje edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili ka hedhur firmat në dy kontrata lobuese, me lobistin Nik Muzin.
TCH: Nga informacionet që ke mundur të sigurosh, çfarë përmbajnë këto dy letërporosi?
Muhamed Veliu: Prokurorët shqiptarë që janë duke hetuar këtë çështje, shpresonin që nga letërporosia nga SHBA të mbërrinte dëshmia e dhënë për FBI-në nga lobisti Nik Muzin. Kjo nuk ka ndodhur, pasi SHBA në përgjigjen e tyre thonë se Nik Muzin vijon të jetë ende nën betim, ndaj hetuesit amerikanë nuk mund ta ndajnë dëshminë e tij me prokurorët shqiptarë. Ndërkohë që nga letërporosia e mbërritur nga Skocia, për herë të parë prokurorët shqiptarë kanë në duar tashmë se kush janë pronarët e vërtetë të kompanisë “Biniatta Trade”, e cila për llogari të PD-së ka paguar plot 150 mijë dollarë.