Rikthehet në Teatrin Eksperimental tragjedia “Medea”, me aktorët e njohur Zhusti, Anagnosti, Pasha dhe Trebicka

    0
    519

    Tragjedia e greke “Medea” rikthehet në skenën e Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” mbrëmjen e datës 20 mars. Vepra e Euripidit vjen në skenë me regji nga Dimitris Mylonas dhe në role publiku do të shikojë emra të vlerësuar të skenës teatrore në vend. Tragjedia e lashtë greke “Medea” bazohet në mitin e Jasonit dhe Medeas dhe u ngjit në skenë për herë të parë në vitin 431 para Krishtit. Medea vjen në teatër me aktoren Luiza Xhuvani, për të vijuar dhe me Alfred Trebickën, Viktor Zhusti, Roza Anagnosti, Ahmet Pasha, Gjergj Mena, Kristian Koroveshi, Adriana Tolka, Alesia Xhemalaj, Algioga Aga, Franceska Hysi, Julinda Emiri, Sara Smaja, Xhulia Musagalliu, etj. Vepra shfaqet për publikun në ora 19:00 në sallën “Moliere”, dhe me këtë rikthim të saj publiku do të gjejë dhe një herë në skenë një nga kryeveprat e teatrit. Me një kastë aktorësh të njohur kjo tragjedi që në premierën e saj në skenë njohur vlerësimin nga publiku, por dhe kritika. Vepra është me përkthim nga Viktor Zhusti, skenograf Beqo Nanaj, kostumografe Sofi Kara, kompozitor Pavlos Katsivelis, koreograf Gjergj Prevazi, dirigjent Dritan Lumshi. Subjekti përqendrohet mbi veprimet e Medeas, dikur princeshë e mbretërisë “barbare” të Kolkias dhe bashkëshorte e Jasonit. Ajo sheh se pozita e saj në botën greke është e kërcënuar, kur Jasoni e braktis për t’u martuar me një princeshë greke të Korintit. Medea merr hak mbi Jasonin, duke vrarë bashkëshorten e tij të re, po ashtu edhe dy bijtë e vet, për t’u arratisur më pas në Athinë për një jetë të re. Për veprën shkruhet se kjo tragjedi është një tablo mjeshtërore e pasionit me nënshtresat dhe zgavrat e tij sekrete. “Vuajtja dhe ndjeshmëria e dashurisë së vrarë vizatohen fuqishëm, deri sa kulmojnë me veprën e tmerrshme të hakmarrjes. Fuqishëm është ravijëzuar gruaja me joshje të jashtëzakonshme, e cila është njëkohësisht e dobët. Notat e butësisë mëmësore janë patetike në shkallën më të lartë. Lufta e emocioneve, gjeneruar nga pasioni, rrëfehet në mënyrë të admirueshme; dhe mes gjithë stresit nga konflikti i tyre, dhe mes gjithçkaje të sofistikuar dhe iluzive, që gërryen shpirtin, urrejtja dhe hakmarrja fitojnë betejën. Medea është kriminele, por jo pa shkak dhe jo pa forcë e dinjitet”, thuhet mbi veprën.

    Euripidi dhe tragjedia

    Në dallim nga Eskili epik dhe Sofokliu i përqendruar te ndërveprimi i karaktereve, Euripidi i hapi artit dyert e një bote të re dhe na jep një pamje më të afërt të ndjenjës pasionante, edhe në format e saj më të pastra, edhe në çmenduritë më të egra, të cilat kontrollojnë, pështjellojnë apo shkatërrojnë njerëzit. Shkrimtar dhe novator i ideve në tragjedinë antike greke, apo më mirë i njohur si babai i tragjedisë Euripidi lindi në Athinë në vitin 480 p.e.s dhe vdiq më 406 në Pele të Maqedonisë, ku edhe u varros. Kronologjikisht Euripidi është i treti ndër tragjediografët grek Eskilit dhe Sofokliut. Emri i tij, sikurse edhe i Eskilit dhe i Sofokliut lidhet me luftën e famshme të Salaminës. Dhe sipas disa shënimeve të mundshme të besueshme Euripidi lindi më 20 shtator 480 p.e.s, përderisa Sofokliu 16 vjeçar himnizonte bëmat e luftës, ndërsa 45 vjeçari Eskili i famshëm ishte luftëtar. Ishte një adhurues i flaktë i Demokritit dhe Herakliut, dhe pikërisht kjo ishte arsyeja se përse ai kishte një bibliotekë të pasur të vetën. Edhe pse vinte nga një familje e varfër ai mundi të marr formësimin e gjithanshëm intelektual. Ishte nxënës i Anaksagorës dhe mik i mirë ngushtë i Sokratit. Si i ri ishte marrë edhe me atletikë dhe me pikturë e muzikë, ndërsa studioi filozofinë por përfundoi me poezinë dramatike, përderisa nuk është marrë fare me politikë mirëpo i ka paraqitur idetë e tij politike nëpër veprat e tij.  

    Nga Julia Vrapi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here