Prokuroria ka thelluar hetimet për lobimet e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në prag të zgjedhjeve të 25 qershorit 2017. Letër-porosia e mbërritur nga SHBA mbi kontratat e lobimit të PD zbulon se janë gjithsej 675 mijë dollarë, të cilat janë përdorur për lobim nga PD në pranverën e vitit 2017, disa muaj para zgjedhjeve parlamentare të atij viti, të zhvilluara në 25 qershor. Vetë Partia Demokratike nga llogaritë e saj ka paguar 75 mijë dollarë për kontrata lobimi në SHBA me qëllim promovimin e liderit konservator Lulzim Basha. Janë tre këste me nga 25 mijë dollarë të cilat kanë dalë nga financat e PD-së dhe janë të justifikuara. Por në materialin e mbërritur në Prokurorinë e Tiranës janë edhe disa kontrata të tjera që janë lidhur për lobimin e PD. Në materialin e mbërritur në Prokurorinë e Tiranës flitet për katër kontrata me vlerë 600 mijë dollarë, origjina e të cilave është e dyshimtë. Paratë vijnë nga kompania “Biniatta Trade”. Kjo kompani, sipas materialit të mbërritur nga SHBA, ka pronarë dy shtetas rusë. Nga kjo firmë drejt kompanisë së lobistit, Nikolas Muzin janë nisur katër pagesa me nga 150 mijë dollarë dhe qëllimi i këtyre parave është lobimi i Partisë Demokratike Shqiptare. Sipas kontratave, paratë do përdoreshin për takime me administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, kongresmenë amerikanë dhe intervista në media të ndryshme në SHBA. Në këtë kohë, lideri demokrat pati një takim dhe me presidentin Trump, me të cilin bëri edhe një fotografi. Kjo është vetëm një pjesë e informacionit të mbërritur nga Shtetet e Bashkuara, pasi prokuroria pret dëshminë e Nikolas Muzin. Ajo konsiderohet mjaft e rëndësishme për hetimin, pasi pritet të sqarojë nëse Partia Demokratike ka qenë në dijeni të këtyre financimeve. Në prokurori për këtë çështje një vit më parë u pyetën dy zyrtarë të PD-së, ish-sekretari Arben Ristani dhe financieri i PD. Të dy mohuan financime të dyshimta nga kompani të ndryshme, duke sqaruar se pagesat janë transparente. Por mbërritjen e letër porosisë për kreun e PD e ka komentuar pak kohë më parë edhe Taulant Balla. Ai tha se për SHBA ky është krim federal. “Hetimi që përfshin edhe Lulzim Bashës për historinë e kompanisë guaskë është një hetim që zhvillohet njëkohësisht në tre shtete të paktën, për të mos thënë edhe në Belize, vendi i një prej kompanive offshore. Një shërbim që është kryer në favor të porositësit Basha në Tiranë, kemi një kompani të hapur për këtë transkaksion “Biniatta Trade” në Skoci, dhe një shërbim të kryer në SHBA. Për SHBA ky është një krim federal që hetohet nga byroja federale e hetimit”, tha ai.
Home Aktualitet Lobimi i Lulzim Bashës në Uashington, zbardhen letër-porositë nga Shtetet e Bashkuara...