Parlamenti britanik i ka dhënë dje një tjetër goditje kryeministres Theresa May duke votuar amendamentin që heq përgjithmonë nga tryeza opsionin e daljes së vendit nga BE pa një marrëveshje tregtare. Amendamenti i mbështetur ishte paraqitur fillimisht nga konservatorja Caroline Spelman dhe kaloi me votën e ngushtë 312-308. Në të thuhet se “Dhoma e përfaqësuesve refuzon që Britania të dalë nga Bashkimi Evropian pa një marrëveshje tërheqjeje dhe një kuadër për marrëdhënien e ardhshme me bllokun”. Parlamenti britanik kreu dje një seri votimesh për të qartësuar hapat e tij dhe të vendit gjatë kaosit institucional që ka shkaktuar afrimi i afatit të 29 marsit për ndarjen nga BE, dhe pritet gjithashtu të votojnë për “shtyrjen e Brexit”. Deputetët refuzuan gjithashtu amendamentin e quajtur “Malthouse B”, i paraqitur nga ministri i strehimit Kit Malthouse, i cili kërkon krijimin e kuadrit për një “Brexit, të menaxhuar pa marrëveshje”, në rast se nuk arrihet akordi me Brukselin, edhe pse ishte njëfarë kompromisi mes euroskeptikëve dhe eurofilëve që kërkojnë të evitojnë traumën ekonomike të një ndarjeje pa akord, të fokusuar në minimizimin e dëmeve. Vota u refuzua 164 pro me 374 kundër.
Të biem dakord për diçka
Pas votës kryeministrja May tha: “Rregullacioni në Britani dhe në BE thotë se Britania do të mbetet pa marrëveshje nëse nuk biem dakord për diçka .. dhe tashmë fokusi kryesor i Dhomës është të zbulojë se çfarë është kjo diçka”. May përsëriti se një dalje pa marrëveshje do të dëmtonte më shumë besimin e dobët mes publikut britanik dhe dhomës së deputetëve. “Ne mund të kërkojmë të negociojmë një tjetër marrëveshje, por BE e ka bërë të qartë se marrëveshja që ka vënë në tryezë është e vetmja e mundshme”, tha kryeministrja. Fitorja e amendamentit Spelman për marrëveshje të detyruar me BE nuk ndryshon ligjin, por dobëson edhe më shumë autoritetin e kryeministres, e cila kishte shpresuar se do të mbështetej mocioni i saj për një version të zbutur të planit. Dje parlamenti britanik ka refuzuar me 242 vota pro dhe 391 kundër, marrëveshjen e Brexit të propozuar nga kryeministrja Theresa May, tre javë para mbylljes së afatit të daljes së Britanisë nga unioni, më 29 mars. Refuzimi i marrëveshjes ishte i pritur, pasi në thelb akordi ishte i njëjtë me atë të refuzuar përsëri tre javë më parë, pasi May nuk arriti të fitonte lehtësira të reja nga negociatat me BE, kryesisht për vendosjen e kufirit mes Irlandës e Irlandës së Veriut.
BE: Vetëm Britania mund të zgjidhë qorrsokakun
Kryenegociatori i BE Michel Barnier tha se BE “nuk mund të shkojë më tej” në përpjekjen e saj për të bindur deputetët për të mbështetur kushtet e pranuara të daljes nga unioni dhe se është Britania që mund të zgjidhë bllokimin e Brexit. Barnier, tha se BE ka bërë gjithçka për të zgjidhur ngërçin rreth Brexit dhe se tani u mbetet deputetëve britanikë të përgatiten për një Brexit pa marrëveshje. Menjëherë pas seancës, në parlament u parashtruan dy amendamente të ndryshme që do të debatohen e më tej njëri prej tyre pritet të hidhet në votim mbrëmjen e sotme. Amendamenti i parë i propozuar nga deputetët konservatorë dhe unionistët e Irlandës së Veriut parasheh zgjatjen e bisedimeve për Brexit deri në datën 22 maj, ose një ditë përpara zgjedhjeve parlamentare në BE.
Andi Lamko






































