Ndikimi rus në Tiranë dhe në shtetet e tjera të Ballkanit ka vënë në alarm NATO dhe amerikanët. Shefi i Shërbimit Informativ deklaroi në Komisionin e Sigurisë se muajt e fundit tentativat e Moskës për të mësyrë në vendin tonë janë shtuar, por gazeta ka mësuar se SHISH po bashkëpunon me shërbimet partnere me qëllim që të ndalet influenca. Agjentë të caktuar po bashkëpunojnë me amerikanët, britanikët dhe shtete të tjera të NATO, për të mbajtur në monitorim bashkëpunëtorët e Moskës. Pak ditë më parë ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka zhvilluar një vizitë në bazën e NATO në Itali, ku është folur për ndikimin rus. Sipas burimeve, ajo ka marrë informata të qarta nga krerët e NATO mbi lëvizjet e Moskës. Po ashtu gazeta ka mësuar se në lëvizje është vënë dhe Shërbimi Informativ i Ushtrisë, Drejtoria e Pastrimit të Parave dhe njësia antiterror e policisë, për të parandaluar çdo tentativë të Moskës për të cenuar vendin tonë. Për këtë arsye, mësohet se SHISH në bashkëpunim me vendet partnere kanë vënë në monitorim shumë persona. Kushdo që ka udhëtuar në Rusi, në momentin që kthehet kalon në filtra të thellë verifikimi. Po ashtu edhe shtetasit rusë që vijnë në vendin tonë mbahen në monitorim, përfshirë dhe diplomatë të ambasadës. Ajo që e përforcon akoma dhe më shumë këtë është një deklaratë e presidentit të Bosnjes, Milorad Dodik. Gjatë një interviste ai tha se SHBA ka ngritur qendra në Tiranë e shtete të tjera të Ballkanit, me qëllim që të monitorohen individë të caktuar që mund të jenë të lidhur me rusët. Po ashtu po akordohen shumë fonde në këtë aspekt. “Britanikët kanë miratuar 6 milionë paund për të luftuar influencën ruse në Ballkan. Edhe amerikanët po bëjnë të njëjtën gjë përmes fondeve të tyre. Në Sarajevë, Podgoricë dhe Tiranë janë ngritur qendra inteligjence nga Perëndimi dhe po mbajnë në monitorim rreth 300 perona nga Serbia e Rusia, të cilët dyshohet se po përhapin influencën malinje ruse”, ka deklaruar ai. Fakti që diçka të tillë e thotë një president, do të thotë që vërtet në Bosnje, Mal të Zi e në Shqipëri operojnë njësi të inteligjencës amerikane, për të frenuar ndikimin rus. Burime të gazetës pranë SHISH, thanë se bashkëpunimi me amerikanët ka nisur shumë vite më parë, në kuadër të asistencës dhe sa i takon influencës nga Irani. Që pas mbërritjes së muxhahedinëve, SHBA ka sjellë ekspertë në Tiranë, të cilët asistojnë në frenimin e influencës së huaj, sidomos atë ruse e iraniane.
Lidhjet ruse në Tiranë
Baza e NATO në Kuçovë do të ketë si qëllim kryesor pikërisht të frenojë influencën ruse në vendin tonë. Gazeta prej muajsh ka treguar të dhëna se si zyrtarë të ndryshëm në shtetin shqiptar bashkëpunojnë me rusët. Një personazh mjaft i njohur, dikur këshilltar i një pushtetari të lartë ka pasur lidhje shumë të forta me rusët. Madje ai është mbajtur në përgjim për shumë kohë dhe ka lënë të nënkuptohet se dhe shefi i tij ka pasur kontakte me Moskën. Po ashtu personazhe të ndryshëm ndërkombëtarë kanë dhënë alarmin për ndikimin rus në vendin tonë. Ish-nëndrejtori i FBI, Mark Rossini akuzoi drejtpërdrejt Sali Berishën si të lidhur me rusët. Po ashtu vetë Berisha deklaroi në një studio televizive se Knut Fleckenstein e kishte akuzuar atë në një takim me shoqërinë civile po për lidhje me rusët. Ndërkohë, vetë komandanti suprem i NATO pak ditë më parë tha se Moska ka kthyer sytë në Ballkani, duke ngritur si shqetësim dhe klimën politike. Po ashtu, është vënë re se mediat e Putinit kanë shumë interes mbi aktualitetin politik në vend, e sidomos për protestat e opozitës. Të gjithë faktorët tregojnë se Moska ka thyer sytë nga vendi ynë dhe kjo ka vënë në lëvizje shërbimet partnere.
Kliti Topalli
































