Kryetarja e Gjykatës së Lezhës, Ornela Naqellari dha llogari dje para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për kriterin e pasurisë, figurës dhe aftësive profesionale. Sa i përket pasurisë dhe pastërtisë së figurës, trupa gjykuese nuk kishte konstatuar probleme për Naqellarin. Por debat gjatë seancës së djeshme ndezën disa denoncime të ardhura nga publiku kundër kryegjyqtares së Lezhës. Sipas KPK, në emër të Naqellarit kishin mbërritur 6 denoncime, por vetëm 3 prej tyre ishin marrë për bazë. Një denoncim ishte bërë nga kancelarja e gjykatës, e cila e akuzonte Ornela Naqellarin seka dashur të favorizojë një palë për një çështje pronësie. Gjatë shpjegimeve në seancë, gjyqtarja Naqellari pretendoi se shkeljet ishin bërë prej kancelares dhe jo prej saj. “Unë kam kryer një kallëzim penal ndaj kancelares së gjykatës. Kam marrë masa që shkeljet e kancelares të mos cenojnë punën dhe shërbimin për qytetarët”, tha ajo. Në lidhje me denoncimin për dhënien e një vërtetimi, Naqellari sqaroi se bëhet fjalë për një student drejtësie, i cili kishte qenë pranë gjykatës për të bërë praktikë. Kryegjyqtarja e Lezhës u pyet nga komisionerja Brunilda Bekteshi nëse kishte tejkaluar kompetencat lidhur me autorizimin e punonjësve të tjerë për të kryer detyrat e kancelares, por gjyqtarja u përgjigj se në asnjë rast nuk i kishte deleguar sekretares kryerjen e detyrave të kancelares. Denoncimi tjetër kishte të bënte me faktin se subjekti i rivlerësimit kishte pushuar një natë në një hotel në Lezhë, pronar i të cilit ishte një shtetas që ishte edhe palë gjykuese në një proces gjyqësor që shqyrtohej nga Naqellari. Gjyqtarja sqaroi se në këtë hotel ka qëndruar për pak ditë bashkë me të fejuarin e tij dhe nuk kishte dijeni fare se në pronë të të cilit ishte hoteli. Trupa gjykuese i kërkoi llogari Ornela Naqellarit edhe për përfshirjen e së motrës në procedurat e prokurimit të gjykatës. “Motra thjesht ka interpretuar legjislacionin për çështje të përgjithshme”, deklaroi kryegjyqtarja e Lezhës, Ornela Naqellari.










































