Gjykata e Gjirokastrës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin ukrainas që u arrestua disa ditë më parë në pikën kufitare të Kakavijës. Ai u paraqit në doganë me pasaportë false me emrin Dimitrios Kantzelis dhe po udhëtonte drejt Greqisë. Trupi gjykues i kryesuar nga Mirela Ilijopulli vendosi të lërë në qeli shtetasin nga Ukraina. Dyshohet se 28 vjeçari ka vrarë një vit më parë një person në kryeqytetin grek. Ai ishte shpallur në kërkim nga Interpoli pasi dyshohet se është vrasës me pagesë dhe kishte hyre ilegalisht në Shqipëri. 28-vjeçari, me orgjinë nga Ukraina u arrestua në pikën kufitare të Kakavijës. Ai përdori një pasaportë të falsifikuar për të kaluar kufirin nga Shqipëria drejt Greqisë. Kur oficerët e Policisë kërkuan të bënin verifikime shtesë, 28-vjeçari Maryan Yatsula jo vetëm i kundërshtoi, por tentoi që edhe të largohej me vrap. Nga verifikimi në vijën e dytë u zbulua se Maryan Yatsula përdorte një dokument të falsifikuar si grek, me emrin Dimitrios Kantzelis. Nga shenjat e gishtave, u zbulua që ukrainasi ishte në kërkim për vrasjen e një shqiptari në Athinë dhe menjëherë u arrestua nga Policia Shqiptare. Një burim nga Policia e Shtetit tha për Gazetën “Sot” se po verifikojnë 28-vjeçarin, pasi ai mund të ketë kryer vrasje edhe në vendin tonë. Policia nuk thotë konkretisht për çfarë ngjarje bëhet fjalë, por ka dyshime që Maryan Yatsula të jetë i përfshirë në vrasje të pazbardhura në Shqipëri. Rezulton se ukrainasi ka hyrë disa herë në Shqipëri me identitet të rremë. Policia tregohet e rezervuar, ndërkohë që Maryan Yatsula deri më tani ka refuzuar të flasë për sa i përket vrasjeve që mund të jetë i përfshirë. Ndaj tij deri më tani është ngritur akuza tre akuza. Më konkretisht i riu ukrainas akuzohet për “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave dhe vizave”, “Kalim i paligjshëm i kufirit” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit policisë së rendit publik”.
Arrestimi
Maryan Yatsula, 28 vjeç, i cili ka lindur në Ukrainë, mëngjesin e datës 3 mars është paraqitur me dokumente udhëtimi me pasaportë greke me emrin Dimitrios Kantzelis në doganën e Kakvijës. Gjatë verifikimit në Interpol nga policia kufitare, pasaporta rezultoi se ishte e vjedhur dhe i përkiste një shtetasi tjetër grek. Burime zyrtare thanë se gjatë verifikimeve të pasaportës 28-vjeçari, ka kundërshtuar punonjësit e policisë kufitare në vijën e dytë, duke tentuar të largohet por është arrestuar prej tyre në flagrancë. Pas futjes se shenjave të gishtave në sistem u zbulua dhe identiteti i vërtetë i tij. Ai po largohej nga Shqipëria në drejtim të Greqisë, në përpjekje për të kaluar kufirin me pasaportë false, por është diktuar nga policia. I riu, akuzohet për vrasjen e një shqiptari në Athinë, ngjarje e ndodhur në prill të 2018. Sipas policisë mësohet se ukrainasi akuzohej për vrasjen e një 23-vjeçari shqiptar në Athinë.Mihal Kapurani nga qyteti i Korçës u vra gjatë orëve të natës, në muajin prill të vitit 2018, në sheshin e lagjes “Exarchia” të kryeqytetit të Greqisë, Athinë. Policia u shpreh atëherë se viktima dyshohej të ishte sulmuar nga agresorët në mes të sheshit. 23-vjeçari u dërgua menjëherë në spital por nuk u mbijetoi plagëve të marra. Pas ngjarjes autoritetet thanë se kanë indentifikuar emrat e ekzekutorëve. Sipas policisë greke i riu kishte konflikte me një shqiptar me origjinë nga Përmeti, por që jetonte dhe banonte në Athinë. Gjithashtu përveç ukrainasit të arrestuar disa ditë më parë në Kakavijë në vrasjen e Kapuranit morën pjesë dhe dy shqiptarë, të cilët ishin futur në tokën greke vetëm disa ditë përpara ngjarjes./Elvis Myrta