Ansambli “Tirana”, me folklorin popullor në skenë për publikun

0
646

Nata e fundit e festivalit “Metro Sounds-Përrallë Mesdheu” solli në skenë artistët e Ansamblit “Tirana”. Artistë prezantuan para publikut në koncertin e fundit një program të pasur artistik, duke marrë dhe vlerësimin e të pranishmëve që e ndoqën në Teatrin Metropol. Vetë teatri bën me dije se vlerat kombëtare kanë rëndësi për ti përcjellë për publikun. “Është kënaqësi të ndjekësh performancat gjithnjë e më të elegante të ansamblit folklorik “Tirana”! Çdo herë e më krenar për këtë formacion që punon me shumë dashuri për të ruajtur dhe përcjellë më së miri vlerat tona kombëtare nëpërmjet këngëve dhe valleve nga të gjitha trevat”, shkruante teatri. Në netët e festivalit “Metro Sounds-Përrallë Mesdheu” kishin në skenë artistë të ndryshëm të huaj dhe shqiptarë. Festivali përbëhej nga një përzgjedhje artistike e cila sipas organizatorëve erdhi e ndërtuar për të na vënë në kontakt me identitetin dhe përkatësinë tonë mesdhetare, ku pjesë e skenës ishte dhe ansambli “Tirana”, i themeluar në vitin 1978. Ansambli popullor është i përbërë nga një grupim artistësh që interpretojnë drejtpërsëdrejti, të cilët mbajnë gjallë, ruajnë dhe kultivojnë muzikën popullore shqiptare, këngët dhe vallet tradicionale të Tiranës dhe Shqipërisë së mesme. Edhe pse fokusi i tyre është Shqipëria e Mesme, repertori kryesor i ansamblit folklorik “Tirana” është i pasur dhe përfshin të gjithë traditat muzikore të mbarë Shqipërisë. Ansambli “Tirana” është i vetmi entitet gjithëpërfshirës i këtij lloji në rajon dhe një aset i rëndësishëm kulturor për kryeqytetin. Ansambli “Tirana” është një laborator ku ndërthuren se bashku brezi i vjetër i artistëve me të rinjtë. Në repertorin e këtij ansambli përfshihen një grup vallesh, një seksion instrumental, dhe një regjistër të solistëve dhe këngëtarë ansamblit. Muzika, instrumentet dhe kostumet janë autentike të Shqipërisë. Shfaqjet e ansamblit përfshijnë lloje të ndryshme të kostumeve nga krahina të ndryshme të vendit, si dhe instrumente të veçanta muzikore që janë bërë nga ana e instrumentistëve tradicionale. Ansambli “Tirana” është fitues i shumë çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Ky ansambël zhvillon koncerte të ndryshme në Tiranë, por merr pjesë edhe në Festivale Kombëtare dhe Ndërkombëtare të Folklorit. Gjithashtu, merr pjesë në të gjitha aktivitetet artistike të organizuara në bazë të kalendarit artistik të Bashkisë së Tiranës dhe Qendrës Kulturore “Tirana”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here