CIA i ka kushtuar rëndësi zhvillimit komunist në Shqipëri që në hapat e tij të parë. Në disa dokumente të vitit 1949 tregohet se si vijonin përplasjet me Jugosllavinë. Në një dokument të majit 1949 tregohet ekzekutimi i Koçi Xoxes, por më pas jepen detaje se si të gjithë mbështetësit e tij nisën të arratisen nga vendin pasi kishin frikë se do të pësonin të njëjtin fat. Nga ana tjetër, tregohet se si Moska kishte kapur gjithë institucionet, pasi kishte sjellë rreth 1.500 zyrtarë.
Maj 1949
Situata Politiko-ushtarake
Mes 25 dhe 30 janarit 1949 janë raportuar përplasje të ashpra ushtarake mes njësive kufitare shqiptare dhe jugosllave në zonën Peshkopi-Dibër. Për të përballuar luftimet nga pala shqiptare janë dërguar përforcime nga Tirana dhe Durrësi. Marshall Tito ka organizuar me shpejtësi grupet shqiptare të emigracionit në zonën e Kosovës për pushtimin dhe marrjen e kontrollit në Shqipëri, si dhe për të përmbysur gjeneralin Hoxha. Për këtë qëllim ai ka liruar nga burgu shumë nacionalistë shqiptarë, të cilët mund të ushtrojnë influencë personale ndaj shqiptarëve në zona të caktuara në veri të Shqipërisë. Mes tyre përmenden vëllai i Muharrem Bajraktarit. Tito po i organizon njësitë e Kosovës sipas këtyre personazheve me influencë. Një gazetë e veçantë propagande në gjuan shqipe ka nisur të botohet në Prishtinë, e cila thuhet se është dhe organ i shqiptarëve në Jugosllavi dhe i autoriteteve të Titos. Artikujt e saj janë propagandë sistematike në përgatitje për përmbysjen e regjimit të Hoxhës në Shqipëri. Disa shqiptarë të përfshirë në organizmin e shqiptarëve të armatosur kundër Hoxhës, raportohet se kohët e fundit janë larguar sërish nga Jugosllavia në Shqipëri duke tradhtuar qëllimin e lëvizjes. Rreth një mijë shqiptarë janë organizuar në Kosovë dhe janë të gatshëm për pushtimin e Kosovës pas sinjalit të revolucionit të brendshëm që do të jepet nga Koçi Xoxe. Xoxe është i përfshirë në lëvizje dhe bashkëpunon fshehtësish me Titon. Kështu që me zbulimin e aktivitetit sekret të Xoxes, Hoxha e arrestoi dhe e burgosi. Tashmë propaganda shqiptare është e fokusuar e gjitha rreth kësaj çështjeje të rrezikshme. Janë të shumtë artikujt e propagandës kundër Titos dhe Jugosllavisë, të cilat akuzohen për përfshirje me Xoxen, në tentativën që u pikas që në faza e para të organizimit. Tito akuzohet për tentativë pushtimi të Shqipërisë, për organizim të incidenteve kufitare, për pengmarrjen e qytetarëve nga territori shqiptar në kufi, për shkelje të hapësirës ajrore dhe për organizimin e një rrjeti spiunësh në Shqipëri, me qendër në ambasadën jugosllave në Tiranë. Kohët e fundit shumë mbështetës të Koçi Xoxe janë arratisur fshehtësish drejt Jugosllavisë për të evituar arrestimin nga qeveria shqiptare dhe për të vazhduar aktivitetin e tyre për përmbysjen e Enver Hoxhës. Shumë oficerë të njësive të sigurisë pranë kufirit Shqipëri-Jugosllavi, gjithashtu janë larguar drejt Jugosllavisë. Më 15 janar 1949 një anije jugosllave mori rreth 50 shqiptarë mbështetës të Koçi Xoxe në portin e Shëngjinit. Guerilasit komunistë grekë po vazhdojnë të furnizohen me armë e municione nga baza shqiptare e Bezhanit. Puna për ndërtimin e një spitali për trajtimin e guerilasve në fshatin e Vithkuqit ka nisur në 15 shkurt 1949. Rreth 300 guerilas pritet të dërgohen aty nga Korça. Kohët e fundit është dalluar trafik i madh mjetesh nga Korça drejt Bilishtit dhe Kirstalopigi. Është konfirmuar lajmi se një batalion i ushtrisë shqiptare është afruar nga Barma në Frashër për t’u përballur me guerilasit nacionalistë shqiptarë. Por batalioni nuk bëri kontakt me armikun prej dëborës dhe u rikthye në Barma më 16 shkurt.
Maj 1951
Progres-raport mujor operacioni BGFiend
Një konferencë personeli është mbajtur në Athinë për statusin e aktiviteteve. Stërvitja e grupeve po vazhdon me sukses, çka tregon se Greqia është një destinacion i disponueshëm emergjence. Gjatë vizitës në kampin e refugjatëve shqiptarë në Lavrion, grupi ynë zgjodhi 63 kandidatë të mundshëm për agjentë, të cilët janë aprovuar nga kryesia e Komitetit Shqipëria e Lirë. Me bashkëpunimin e gjeneralit grek Nikolopulos është hartuar një sistem për të përdorur Komitetin Shqiptar të Bamirësisë për të kontaktuar me refugjatët shqiptarë menjëherë pasi ata kalojnë kufirin në Greqi. Ky sistem i mundëson operativëve të OPC të marrin informacione të freskëta nga të arratisurit, para se ata të ezaurohen nga lodhja e marrjeve në pyetje nga agjencitë e tjera. Kjo është gjithashtu një mundësi e mirë rekrutimi për Kompaninë Shqiptare në Gjermani. Operacionet subversive më 18-19 maj përpjekjet tona kulmuan në infiltrimin e suksesshëm dhe rifurnizimin e dy grupeve që operojnë brenda Shqipërisë. Grupi shfaqi sinjale me drita që tregonin lëshim të suksesshëm, por katër tentativa për vendosjen e kontakteve radio nuk kanë pasur sukses. Duke pritur bashkërenditjen me Komitetin Shqipëria e Lirë, ende nuk është marrë vendimi për përfshirjen në plan të Hamit Matjanit, i cili ka një numër të konsiderueshëm ndjekësish në Shqipëri dhe Greqi. Abaz Kupi, i cili më parë ka qenë entuziast për skemën e grupeve të Matjanit, tashmë është ftohur disi në qëndrimin e tij. Sipas korrespondencës me dy grupet brenda Shqipërisë, në zonën e Hasit, duket se ata janë mjaft aktivë.
Aktivitete propagande
Fletushka e pestë shqiptare me titull “Hakmarrja e Popullit” është tashmë e gatshme për shpërndarje. Me lejen e Departamentit të Shtetit, janë lëshuar disa mijëra të tilla gjatë misionit të furnizimit të grupeve, por jo të tjera, sipas masës së pezullimit të përkohshëm. Në pritje të heqjes së pezullimit të lëshimeve, por përgatiten fletushka për përdorim në të ardhmen. Grupi i furnizimit i infiltruar në Shqipëri kishte me vete qarkore për t’u përdorur me postë brenda vendit. Mjeti detar Juanita ka lundruar për 15 ditë në detin Jon, në kërkim të një vendndodhjeje të përshtatshme për transmetimet. Ndërkohë është bërë progres për përgatitjen e mjetit, deri në heqjen e pezullimit të transmetimeve. Raportohet se si rezultat i propagandës së Komitetit Shqipëria e Lirë, një kapiten i ushtrisë shqiptare bashkë me 60 ushtarë ka ofruar të dezertojë e të dorëzohet, por agjentët tanë e kanë inkurajuar të qëndrojë dhe të punojë për ne brenda vendit, ku ai mund të jetë më i vlefshëm. Me qëllim rritjen e prestigjit të Komitetit Shqipëria e Lirë, do të shpërndajmë paketa të vogla ushqimi për popullin me emblemën e Komitetit.
Aktiviteti politik
Pas ardhjes së Said Kryeziut në Nju Jork, janë mbajtur një seri takimesh mes tij Hasan Dostit dhe Nuçi Kotës në Nju Jork, për të bindur kryesinë e Komitetit Shqipëria e Lirë të zgjerojë përfaqësimin e saj. Një nga planet që po studiojmë është ai i shtimit të një përfaqësuesi i fraksionit të Këlcyrës nga Balli Kombëtar, mundësisht i një figure të pavarur e të pranueshme si Ndue Markagjoni, ndërsa një tjetër plan është zgjerimi i komitetit drejtues me gjashtë anëtarë të rinj. Është formuar një grup prej tre vetësh i Komitetit për rekrutimin e kandidatëve për aktivitete në Turqi. Kanë nisur gjithashtu veprimet për kundërveprimin ndaj kërcënimit të komitetit të refugjatëve shqiptarë të sponsorizuar nga Jugosllavia. Instrumenti jugosllav për çështjet shqiptare kohët e fundit ka mbajtur një konferencë në Prizren, e organizuar nga Dushan Mugosha, përfaqësuesi i plotfuqishëm i Titos për çështjet shqiptare, ku në linja të përgjithshme sinjalizohet vullneti i Beogradit për përmbysjen e regjimit të Hoxhës. Në konferencë u tha se “veprimi duhet të kryhet nga rrethet demokratike shqiptare të Jugosllavisë, dhe jo nga rrethet reaksionare shqiptare të Italisë, Greqisë apo të tjetërkund. Para kongresit, Nik Sokoli, kreu i lidhjes shqiptare jugosllave, i shprehu besimin Abaz Kupit se kishte mjaftueshëm terren të përbashkët për veprim mes Partisë së Legalitetit dhe Lidhjes jugosllave të Prizrenit, por nuk do të merreshin veprime deri në qartësimin e qëndrimit të Lidhjes jugosllave ndaj Komitetit Shqipëria e Lirë të SHBA. Në lidhje me këto zhvillime KSHL është instruktuar të mbajë një qëndrim skeptik, duke mirëpritur krijimin e një tjetër grupi në shenjë të opozicioni ndaj regjimit të Hoxhës, por duke theksuar se KSHl është organizata e vetme shqiptare që gëzon mbështetjen e fuqive të mëdha. Me kërkesën e OPC, DASH po merr në konsideratë rekrutimin e ambasadorit tonë në Beograd për të tentuar të mësojë mbi qëllimet e vërteta të organizatës shqiptare të Jugosllavisë, duke i pyetur hapur autoritetet e atjeshme nëse kanë objektiva ndërhyrjeje në Shqipëri, apo nëse i tremben një reagimi të BRSS, siç kanë deklaruar. Edhe gjenerali Omar Bradly është instruktuar të përpiqet të mësojë prej jugosllavëve mbi çështjen, gjatë bisedave me përfaqësuesit ushtarakë.