Kapen me shkelje në procedurat e zhdoganimit, 29 doganierë të portit të Durrësit nën hetim

0
358

Një kontroll i njësisë së Task-Forcës antikorrupsion në Portin e Durrësit, njësi e cila drejtohet nga vetë ministria ka gjetur një sërë shkeljesh në portin më të madh të vendit. Gjatë kontrollit i cili zgjati për rreth një javë u konstatuan nga task-forca një sërë shkeljesh dhe veprash penale. Në përfundim të inspektimit, si pasojë e shkeljeve të mëdha që u konstatuan u vunë nën hetim 29 doganierë, si dhe u dhanë masa disiplinore. Masat disiplinore u dhanë për 28 doganierë dhe 5 specialistë të Portit të Durrësit. Sipas ministres pas përfundimit të inspektimit në këtë port shkeljet janë evidentuar kryesisht në kontrollin fizik të mallrave me risk të lartë. Një tjetër shkelje ka qenë mosmbajtja e procesverbalit të kontrollit fizik dhe formularit të rivlerësimit doganor. Po kështu ka rezultuar se nuk janë respektuar edhe procedurat e parashikuara në legjislacionin në fuqi, në fushën e vjeljes së detyrimeve doganore të akcizës dhe rikuperimin me forcë të borxhit doganor. Doganierëve iu është mbajtur 1/3 e pagës për 6 muaj. Ministrja Gjonaj njoftoi se janë evidentuar 17 vepra penale për shpërdorim të detyrës, për të cilat janë vënë nën hetim 29 doganierëve, ndërsa i bëri thirrje nëpunësve të këtij sektori të kryejnë me përgjegjshmëri punën e tyre. “U evidentua se në disa praktika mungojnë të dhëna mbi numrin e imazhit të skanimit dhe rezultatet e skanimit si dhe mos respektimit të procedurave dhe kërkesave të parashikuara në legjislacionin në fuqi në fushën e vjeljes së detyrimeve doganore dhe të akcizës si dhe rikuperimit me forcë të borxhit doganor. Në përfundim të kontrollit janë rekomanduar nga taks forca antikorrupsion 28 masa disiplinore pezullim nga e drejta e ngritjes në detyrë përfshirë rritjen në shkallën e pagës për një periudhë 2 vjet. Masë disiplinore për 18 doganierë për mbajtjen deri në 1/3 e pagës së plotë për një periudhë 6 muaj. Për 5 specialistë të zyrës së rikuperimit me forcë të borxhit doganor, masë disiplinore për mbajtjen deri në 1/3 e pagës së plotë për një periudhë deri në 6 muaj, si dhe vërejtje për 4 përgjegjës sektori pranë sektorit të operacioneve doganore pranë zyrave të terminaleve. Gjithashtu nga strukturat që luftojnë korrupsionin në Policinë e Shtetit, gjatë javës së kaluar, janë evidentuar 17 vepra penale në fushën e korrupsionit, dhe shpërdorimit të detyrës, ku 29 persona janë proceduar penalisht”, sqaroi Ministria e Drejtësisë Etlida Gjonaj. Gjithashtu ministrja tha se kryetarit të Doganës së Durrësit, i pezullohet e drejta e ngritjes në detyrës, dhe nuk mund t’i rritet as paga për një periudhë 2-vjeçare.

Hetimet dhe kallëzimet pas inspektimit në port

Nga ky inspektim përgjatë një jave u evidentuan 17 vepra penale nga strukturat që luftojnë korrupsionin në Policinë e Shtetit, në fushën e korrupsionit, dhe shpërdorimit të detyrës, ku 29 persona janë proceduar penalisht. Për të gjitha rastet e evidentuara, nga strukturat për hetimin e korrupsionit dhe Drejtoria Qendrore e Hetimit, janë kryer veprimet hetimore dhe rastet janë referuar në Prokurori, për veprat penale, korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike dhe shpërdorimi i detyrës”. Gjithashtu pas inspektimit të Task Forcës antikorrupsion, në prokurori u bë një kallëzim për veprën penale përvetësim i titullit apo i detyrës shtetërore, ndaj zyrës së avokatisë ADCA dhe përfaqësuesve të saj. Pas inspektimit u konstatua se përfaqësuesit dhe punonjësit e kësaj zyre avokatie me veprime konkrete kanë tejkaluar dhe shpërdoruar kompetencat në fushën e përfaqësimit ligjor dhe me veprime konkrete kanë përvetësuar atribute që nuk i kanë, duke kryer funksione si zyrë përmbarimore apo përmbarues gjyqësor. Kujtojmë se mëngjesin e së dielës në Portin e Durrësit u arrestuan 6 kontrollorë, të cilët sipas prokurorisë kundrejt shumave 300-1000 euro i merrnin personave të ndryshëm për të kaluar në vendet e Bashkimit Europian, edhe pse nuk e plotësonin dokumentacionin e nevojshëm. Gjashtë kontrollorët u lanë të lirë nga Gjykata e Durrësit, ku do të hetohen në gjendje të lirë.

Elvis Myrta

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here