Hapja e negociatave, pritet valë e re shkarkimesh në radhët e drejtësisë, anëtarët e vetingut 12 orë në ditë verifikime për gjyqtarët dhe prokurorët

0
409

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pritet të japë një ndihmesë shumë të madhe që Shqipëria të marrë një vendim pozitiv për hapjen e negociatave këtë vit. Reforma në drejtësi dhe procesi i vetingut kanë marrë gjithmonë vëmendjen kryesore të ndërkombëtarëve. Kujtojmë që SHBA-BE ishin protagonistët kryesorë në miratimin e reformës në drejtësi, ndërsa pritshmëritë nga kjo reformë dhe nga procesi i rivlerësimit në veçanti janë shumë të mëdha. Deri tani KPK ka rivlerësuar me sukses një sërë emrash, pjesa më e madhe e të cilëve bënin pjesë tek lista prioritare. Fillimisht në sitë u kaluan me përparësi kandidatët për Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, ndërsa më pas u vijua me krerë gjykatash e prokurorish, por edhe me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese e të Gjykatës së Lartë. Në këtë fazë të parë KPK zhvilloi shumë seanca dëgjimore, ku kishte edhe raste që zhvilloheshin edhe katër të tilla brenda një dite. Por pas marrjes së pushimeve verore vitin e shkuar, u duk se ritmi i punës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ra disi. Numri i seancave dëgjimore u reduktua, por burimet i thanë gazetës se kjo situatë do të ndryshojë së shpejti.

Puna me orar të zgjatur

Sipas burimeve, komisionerët e vetingut po punojnë me orar të zgjatur me qëllim që të hetojnë sa më shumë subjekte rivlerësimi dhe që rezultatet e punës të jenë cilësore. Qoftë anëtarët e KPK, por edhe administrata e organit të vetingut janë angazhuar shumë fort duke punuar nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 8 të darkës me qëllim që më pas të ketë vrull seancash dëgjimore. Gjatë 12 orëve punë në ditë komisionerët e vetingut merren me hetime dhe përgatitjen e dosjeve për subjektet e rivlerësimit, ndërsa po ashtu administrohen edhe denoncimet e qytetarëve. Edhe për këto të fundit, punonjësit e KPK dalin në terren dhe provojnë nëse qëndrojnë pretendimet e qytetarit. Sipas burimeve të gazetës, momentalisht fokusin kryesor të punës së KPK e kanë zënë kandidatët për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion dhe anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Për ngritjen e SPAK pritet vetëm që të shprehet edhe KPK për emrat që kanë shfaqur interes, kështu që momentalisht komisionerët po punojnë në hetimin e tyre dhe hartimin e dosjeve përfundimtare, për t’i thirrur më pas në seancë dëgjimore. Kjo punë e tejzgjatur e stafit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit pritet të pasohet nga një “bum” seancash dëgjimore. Burimet i thanë gazetës se po punohet me vrull të madh dhe numri i seancave dëgjimore brenda një dite mund të jetë edhe katër me qëllim që deri në momentin e marrjes së vendimit nga Bashkimi Evropian për negociatat të jenë bërë hapa përpara. Në këtë mënyrë, KPK kalon shumë gjyqtarë dhe prokurorë në sitë, ndërsa pritet që të shtohen goditjet në radhët e drejtësisë dhe të çohet një mesazh pozitiv në Bruksel që po pastrohet sistemi.

Ultimatumet e ndërkombëtarëve

Ndërkombëtarët kanë bërë gjithmonë thirrje që reforma në drejtësi të çohet deri në fund dhe procesi i vetingut të jetë i paanshëm dhe profesional. Edhe në progres-raportin e fundit të hartuar nga BE për hapjen e negociatave me Shqipërinë një nga kushtet kryesore është pikërisht zbatimi i reformës në drejtësi dhe spastrimi i sistemit nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Kujtojmë që përfaqësuesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit janë prezentë në çdo seancë dëgjimore të KPK dhe ndjekin me vëmendje çdo vendim, çka tregon interesin e lartë që ndërkombëtarët kanë tek procesi i rivlerësimit. Me qëllim që Shqipërisë t’i shtohen pikë në këtë drejtim, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit po punon shumë fort dhe në ditët në vijim do të kalojnë në sitë shumë emra. 

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here