Lëvizja Socialiste për Integrim duket se është penduar për djegien e mandateve. Gazeta e ka paralajmëruar se kjo situatë mund të çojë në shkrirjen e partisë se Presidentit Ilir Meta dhe si duket Kryemadhi dhe njerëzit pranë saj po e ndiejnë një gjë të tillë. Deklarata e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për të djegur mandatet e zuri në befasi LSI-në, e cila u detyrua të ndiqte rrugën e PD, por pa menduar për pasojat. Tani, Lëvizja Socialiste për Integrim po e kupton se kjo ishte një rrugë pa krye, edhe pse i deputetët e saj i dorëzuan vullnetarisht mandatet. Sinjalin e ka dhënë ditën e djeshme, nënkryetari i LSI, Luan Rama. Gjatë një prononcimi për mediat, Rama sulmoi Kuvendin se nuk ndoqi rrugën ligjore sa i takon vendimit të opozitës për të djegur mandatet, pasi sipas tij, nuk u mblodh Këshilli i Mandateve. “Puna e Kuvendit dhe komisionet kanë rregulla strikte se si procedohet. KQZ-ja është investuar pa u zbatuar ligji pasi është detyrim ligjor që çdo deputet që largohet, duhet ta shprehë këtë në një seancë publike pasi nuk është thirrur komisioni përkatës i Kuvendit për të legalizuar djegien e mandateve të opozitës”, deklaroi ai. Më tej, zv/kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, komentoi edhe marrjen e mandateve nga ana e 4 deputetëve të rinj nga lista e LSI-së, duke akuzuar KQZ se shkeli ligjin. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk duhet të bëhet pjesë e kësaj farse.Kushtetuta thotë se Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë dhe në momentin kur nuk janë aq, nuk është më Kuvend. Edhe një kur ikën, zëvendësohet menjëherë. Pavarësisht makinacioneve që bëhen, nuk shkohet te numri 140”, u shpreh ai. Por gazet ka mësuar se nuk është çudi që deputetët të caktuar të LSI, nëse në ditët në vijim shikojnë që kjo parti po shkon drejt greminës, do ta ankimojnë cështjen e djegies së mandateve në Kolegjin Zgjedhor, me pretendimin se Kuvendi i Shqipërisë nuk thirri Këshillin e Mandateve për këtë vendim të opozitës.
Rama sulmon ndërkombëtarët
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama nuk kurseu ditën e djeshme edhe ndërkombëtarët, për të cilët shpërtheu në akuza dhe sulme. Duke folur për mediat, zv/kryetari i LSI deklaroi se partia në të cilën ai bën pjesë, madje gjithë opozita pranon çdo interlokutor, por jo këshilla nga ndërkombëtarë që sipas tij, nuk përfaqësojnë asgjë. Madje, Rama i akuzoi ata si të korruptuar dhe se po i thurin padrejtësisht elozhe qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. “Ata janë si dëshmitarët e një X sekti që janë në ikje e sipër. Me gjithë respektin, ata le të zgjidhin problemin e tyre në kuadër të zgjedhjeve që Parlamenti Europian zhvillon në prill. Sot ata nuk përfaqësojnë më asgjë, janë eurodeputetë në ikje”, tha deputeti i LSI.
Tryezë mazhorancë-opozitë-president
Lëvizja Socialiste për Integrim duket se shpresat për të dalë nga kjo krizë në të cilën është futur dhe nuk po del dot, i ka tek Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Gjatë ditëve të fundit, deputetët të partisë së Kryemadhit kanë artikuluar idenë se opozita pranon të ulet në tryezë me mazhorancën, por me kusht që në të të jetë edhe kreu i shtetit. Ditën e djeshme, zv/kryetari i LSI, Luan Rama u shpreh i bindur se opozita nuk ka komplekse nëse Presidenti i Republikës i thërret të gjitha palët në një tryezë për zgjidhjen e krizës politike. “Ne nuk kemi komplekse dhe nuk kushtëzojmë se kush vjen në tryezë dhe për çfarë vjen subjekti apo institucioni. Ne kërkojmë që për shkak të lidhjeve të qeverisë me krimin, që ky kryeministër të japë dorëheqjen. Sot më i rëndësishëm është interesi i vendit në kuadër të procesit të integrimit europian”, nënvizoi nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama Luan Rama.
Rigels Seliman