Shfaqja “Gusht: portret familjar” vepër nga Tracy Letts me regji nga Spiro Duni vijon te “arTurbina” për publikun mbrëmjen e të shtunës dhe të dielës. Me role të ndryshme në skenën e teatrit këtë herë Flaura Kureta vjen me një nga personazhet e dramës me tre akte, që është Keren Ueston. Për aktoren, problematika që trajton vepra e gjejmë dhe sot në shoqërinë shqiptare. “Unë luaj në shfaqje një nga motrat që janë në vepër, pasi janë tre në dramë dhe interpretoj Keren Ueston. Roli im është motra që është larguar më herët nga kjo familje dhe ka shkuar në Florida. Ajo pas vdekjes së babait vjen në shtëpi, ku është mbledhur e gjithë familja. Por aty është një familje disfunksionale nga drogat që përdorin, ilaçet, mungesa e komunikimit. Një familje amerikane por siç po kthehet sot dhe familja shqiptare me problemet që mbartin. Një vepër shumë koherente”, tregon aktorja e njohur Flaura Kureta. Për aktoren, kjo vepër që i kishte munguar deri tani skenës shqiptare është shkruar nga një autor i njohur për krijimtarinë e tij. “Është një autor amerikan shumë i njohur me veprat e tij. Mbahet një aktor i vlerësuar dhe është pak Çehov, është një pjesë shumë e mirë dhe fat i madh që e kemi në dorë dhe po e punojmë. Një vepër që është bërë dhe një film i famshëm në Amerikë”, tregon aktorja Flaura Kureta. Me regji nga Spiro Duni dhe me një kast aktorësh të njohur aktorësh rikthehet me këtë vepër pas shumë vitesh mungesë në jetën artistike në Shqipëri aktorja Merita Xhani, për të vijuar në role me Luli Bitri, Eva Alikaj, Dritan Boriçi, Flaura Kureta, Elia Zaharia, Ligoraq Riza, Neritan Liçaj, Myzafer Zilfa, Niada Sailiasi, Marget Caushi dhe Doriana Caushi. Teatri Kombëtar shkruan se është një interpretim brilant. “Vijon dhe më 1-2-3 mars, ora 19:00, në “arTurbina”. Eja të zbuloni interpretimin brilant dhe të vërtetat e familjes Weston”, bën me dije Teatri Kombëtar. “Gusht: Portret Familjar” është historia e familjes Ueston, që ka probleme të thella të cilat shpërfaqen me tërë fuqinë e tyre kur pjesëtarët e saj mblidhen në shtëpinë e tyre në Oklahoma, ku patriarku i familjes Beverli Ueston ka humbur. Gruaja e tij Violeta është një egoiste, manipuluese dhe e varur nga droga. Ajo përdor dhunë psikologjike dhe i torturon tre vajzat e saj. Drama konsiderohet komedi e zezë, pasi vepra përshkohet nga humori. Përveç çmimit Pulitzer në vitin 2008, autori Tracy Letts është vlerësuar dhe me çmime të tjera.

































