Monedha e përbashkët ka kërcyer sot në tregun e brendshëm valutor, duke u rritur me 0.92 lekë, për të arritur në 125.73 lekë. Kjo është rritja më e madhe ditore që nga qershori 2018, kohë kur banka e Shqipërisë nisi një seri ndërhyrjesh të jashtëzakonshme në tregun valutor për të frenuar rënien e euros. Euro është kuotuar ndërkohë sot, në nivelet më të larta në gati pesë muaj, që nga fillimi i tetorit. Monedha e përbashkët ka qenë në tendencë të lehtë rritëse prej gati dy javësh, por sot kërcimi i saj ka qenë shumë i fortë. Në rritje ishte dhe dollari dhe gjithë valutat e tjera, që raportohen nga Banka e Shqipërisë. Një dollar u ngjit në 110.31 lekë, me rritje prej 0.44 lekësh në krahasim me një ditë më parë.









































